Të jesh “zëri” i Policisë: Hoxha tregon sfidat dhe emocionet që bashkëndjen me qytetarët

Prishtinë | 29 Qer 2020 | 10:03 | Nga Ekonomia Online

Për rreth 19 vite Daut Hoxha punon në Policinë e Kosovës, ndërsa që nga viti 2014, ai është “zëri” i këtij institucioni ku konfirmon për mediat, thuajse, secilën ngjarje që ndodh.

Hoxha është zëdhënës i Policisë së Kosovës dhe për të dihet pak, derisa në një intervistë për Gazetën Metro ai tregon më shumë rreth jetës dhe punës së tij.

Puna në një institucion si Policia e Kosovës nuk është aspak e lehtë, siç thekson Hoxha për Metron, pasi ngërthen shumë sfida e përgjegjësi.

Por për rreth dy dekada, ai thotë se e ka kryer këtë punë me përkushtimin më të madh dhe se ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me qytetarët dhe publikun në përgjithësi.

Derisa me shfaqjen e pandemisë, ky profesion është bërë edhe më i vështirë si dhe është detyruar të kalojë edhe nëpër një sfidë tjetër, të plotësoj edhe një mision, të cilin zëdhënësi i Policisë e konsideron si të suksesshëm.

Më poshtë lexoni të plotë intervistën e Metros me Daut Hoxhën:

METRO: Kur keni filluar të shërbeni në Policinë e Kosovës si zyrtar për media, dhe sa e kishit të vështirë të mësoheshit me këtë profesion?

HOXHA: Punën time në raport me media dhe publikun e kam filluar nga muaji gusht i vitit 2014’të, në pozitën si Mbikqyrës i Ekipit për Analizë të Mediave dhe Komunikimit, në Zyrën për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës. Sa i përket vështirësive dhe përshtatjes sime me këtë detyrë dua të të shpreh vlerësimin tim se gjatë punës sime në Policinë e Kosovës që nga viti 2001, (pra afro 19 vite) ka qenë dhe mbetet një privilegj dhe mundësi e madhe për mua, sepse gjatë kësaj periudhe kam pas fatin të punoj dhe bashkëpunoj me shumë zyrtarë dhe menaxher të Policisë që falë punës dhe përkushtimit të tyre Policinë e Kosovës, sot e kemi ndër institucionet më profesionale dhe mjaft kredibile, e cila po mirret edhe si shembull dhe vlerësohet në mënyrë afirmative edhe në rajon e më gjerë. Prandaj, duke marrë parasysh ambientin, por edhe bashkëpunimin me publikun ( qytetarët) dhe mediat në përgithësi, kemi arritur t’ ia dalim mbanë deri këtu.

METRO: Meqenëse ka kaluar një kohë qe ju jeni “zëri” i Policisë, sa është e vështirë të jesh zyrtar i institucionit thuajse më të rëndësishëm në vend?

HOXHA: Duke marrë parasysh faktin se që nga fillimi i karrierës sime kam shërbyer nëpër njësite të ndryshme policore që nga njësitë patrolluese nëpër nivele/stacione lokale, operacionet policore, inspektimin, auditimin dhe kontrollin në organizatë, burimet njerëzore e deri në nivel të njësive të nivelit qendror ku kam arritur ta krijojë një pasqyrë apo imazh të qartë për organizatën policore si tërësi ka qenë më e lehtë për mua të ballafaqohem me sfidat që më janë paraqitur gjatë rrugëtimit dhe përballjes me to.
Po e ritheksoj dhe pak po e plotësoj përgjigjen paraprake se përveç që është privilegj dhe mundësi puna në këtë organizatë bartë me vete edhe përgjegjësi të mëdha, prandaj kërkohet përkushtim, punë dhe durim në ballafaqimet që hasen.

METRO: A ka pasur ndonjë moment kur ju nuk jeni përshtatur me këtë profesion?

HOXHA: Gradualisht e kam kuptuar se ky profesion vërtetë është specifik. Them të drejtën momentet sfiduese, problematikat e ndryshme që shpesh herë dalin të jenë edhe interesante e rrisin disi motivin për tu përballur dhe për të ju gjetur zgjidhje, sepse siç thotë një fjalë; “për qdo problem ka një përgjigje (zgjidhje), shterroni mendimet tuaja dhe lejoni që zgjidhja t’ju vizitoj”.

METRO: A ka pasur ndonjë moment kur keni pranuar ndonjë informatë të ndjeshme që iu ka prekur edhe juve emocionalisht?

HOXHA: Gjithsesi, gjatë punës jemi përballur me raste apo incidente të natyrave të ndryshme përfshirë edhe incidentet apo aksidente të ndryshme ku është dashur të konfirmohen edhe lajme të ndjeshme dhe tragjike ku ka pasur humbje të jetëve të njerëzve; punëtorëve, fëmijëve dhe pavarësisht detyrës që kemi, është goxha e vështirë që gjatë përballjes me raste të tilla të mos përcillen edhe emocione si qenie njerëzore që jemi. Përveç ofrimit të ndihmës me kapacitetet ne dispozicion, gjithnjë në raste të tilla prioritet kemi pasur mbështetjen emocionale dhe shpirtërore për të prekurit, familjarët në mënyrë që edhe ata të tejkalojnë më lehtë incidente apo fatkeqësitë që i kanë prekur.

METRO: A ndikon profesioni juaj tek jeta personale?

HOXHA: Siç e thashë më sipër, ky profesion ka specifikat e veta, prandaj mund të ju them se me gjithë sfidat që ballafaqohemi, edhe nësa ka ndikim sado pak të vogël ky ndikim sipas vlerësimit tim është shumë pozitiv.

METRO: Meqenëse jemi në kohë pandemie, cilat kanë qenë sfidat e policisë në këtë periudhë?

HOXHA: Shfaqja e pandemisë, konkretisht virusi COVID-19, është një sfidë që preku jo vetëm vendin tonë por ishte dhe mbet ende një betejë globale. Megjithatë roli dhe angazhimi jonë ka qenë i madh edhe pse vlerësime mund të bëjnë të tjerët. Zyrtarët tanë kanë qenë dhe mbetën të përkushtuar me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë në dispozicion përfshirë edhe qëndrimin në detyrë me orare të zgjatura me të vetmin qëllim që kjo situatë të menaxhohet sa më mirë dhë të tejkalohet me sa më pak raste dhe në favor të ruajtjes së shëndetit publik në përgjithësi.

METRO: A mendoni se deri tani policia e ka përmbushur me sukses këtë detyrë, pra perballjen me pandeminë?

HOXHA: Ne si institucion i zbatimit të ligjit kemi pasur një koordinim dhe bashkërendim të mirë me autoritetet kompetente të shëndetësisë dhe kemi qenë aktiv dhe në dispozicion të realizimit të detyrave tona zyrtare që i përcakton ligji dhe në funksion të parandalimit të pandemisë. Të gjitha vendimet dhe rekomandimet e autoriteteve shtetërore dhe të shëndetësisë gjatë kësaj pandemie janë adresuar me profesionalizëm. Prioritet për ne ka qenë tejkalimi sa më i lehtë i kësaj situate me sa më pak raste të infektimeve duke pas parasysh që impakt (ndikim) ka pasur në të gjitha aspektet si në atë shëndetësor, ekonomik, psikologjik dhe social, prandaj edhe angazhimet tona kanë qenë dhe do vazhdojnë të jenë të balancuara.

METRO: Për fund, a keni ndonjë mesazh apo apel për qytetarët e Kosovës, gjatë kësaj kohe?

HOXHA: Në këtë kohë pandemie, mendoj që secili nga ne pa dallim, duhet të kemi prioritet shëndetin tonë, të familjeve tona dhe qytetarëve në përgjithësi, prandaj edhe qëllimi jonë si Polici e Kosovës është që së bashkur të kujdesemi që derisa të kalojë në tërësi kjo situatë, ta parandalojmë përhapjen e mëtejme të virusit dhe ta ruajmë shëndetin tonë dhe ambientin, të ju përmbahemi udhëzimeve të autoriteteve shtetërore, në veçanti atyre të shëndetësisë lidhur me mbajtjen e distancës fizike, pastrimin e shpeshtë të duarve dhe mbajtjen e pastërtisë së ambientit në vazhdimësi, në mënyrë që virusit t’i pamundësojmë qëndrimin në mesin tonë.
Ne kemi pasur sfida edhe më të vështira në të kaluarën, jemi ballafaquar seriozisht me to dhe i kemi tejkaluar, prandaj edhe kjo mbetet sfidë që së bashku kemi forcën dhe kurajon ta mposhtim.

Të ngjashme