Këto ditë kulturës poetike në Kosovë iu shtua libri më i ri me poezi, “Zemër me lëkurë leopardi” i poetit Uran Krasniqi. Në këtë përmbledhje gjenden të “skalitura” disa nga poezitë qe Urani i ka shkruar kohën e fundit.
Ai është një nga krijuesit e rinj qe gradualisht dhe pa shumë sensacion po depërton ne panteonin poetik te botës sonë kulturore. Kanë shkruar edhe të tjerë për artin e tij poetik. Veçantitë stilistike dhe tematike që e dallojnë poezinë Uranit. Është përmendur mungesa e ngarkesave ideologjike, gjuha e thjeshtë dhe çliruar nga fjalomania e tepërt, si dhe figuracioni konciz dhe lakonik, etj etj. Mbase janë këto cilësi që e bëjnë atë atraktiv për lexuesin dhe publikun tonë.
Nuk ka dyshim se ekzistojnë teori të shumta se cili është dhe duhet të jetë funksioni i artit në përgjithësi dhe poezisë në veçanti. Dhe është e pamundur që gjithë ajo begati teorike të prezantohet këtu. Bie fjala, G.Hegeli në “Ligjëratat e tij mbi Estetikën”, konsideron se arti si paraqitje sensuale e frymës, me të gjitha format e tij, simbolike, klasike dhe romantike, e ka përfunduar misionin e tij. Në anën tjetër, F. Nietszche pas kumteve mortore për “Vdekjen e Zotit” një term ky i keqkuptuar, mendon se arti duhet të shërbeje si zëvendësim për të vërtetën, e këtu është fjala për të vërtetën metafizike tradicionale. Kurse M.Haideggeri, mbron idenë se poezia është një nga format më sublime të banimit të qenies. Ndërkaq, T.Adorno i dëshpëruar për shpërthimin e gjendjes së barbarisë ku u katandis njerëzimi gjatë shekullit 20, e shtron një pyetje provokative, se a ka kuptim ende të lexohet poezia pas Holokaustit? Në anën tjetër, teoricienë tjerë sikur se; R.Rorty etj mbrojnë tezën, se trashëgimia metafiziko-religjioze mund të zëvendësohet nga kultura poetike. Impulset e këtij zhvillimi mund të hasen që në traditën romantike. Sepse, për këtë brez, arti në përgjithësi dhe poezia në veçanti, në vend se të mendohet vetëm si mjeshtëri imituese duhet të shihet edhe si vlerë krijuese. Madje ky autor, në punimin “Tatëpjeta e të vërtetës shëlbyese dhe lulëzimi i kulturës letrare” pohon se sipas kësaj forme të të menduarit “si feja ashtu edhe filozofia mund të duken si zhanre letrare”. E si rezultat i zhvendosjeve të tilla, s’kapullohemi nga ekstaza teorike e të “vërtetave shëlbyese” për ta vlerësuar “çdo send, person, ngjarje, ide dhe poemë, në një kontekst të vetëm i cili në njëfarë mënyre do të na paraqitej si natyror i paracaktuar dhe unik. Ku kjo e vërtetë do të ishte i vetmi kontekst që do të kishte rëndësi në përpjekjen për t’i dhënë formë jetëve tona, meqenëse ai do të ishte i vetmi në të cilin jetët tona shfaqen ashtu siç janë realisht”.
Në këtë linjë, edhe për Uranin poezia është bërë në një “mjet” i jetesës. Streha ku ai tenton ta gjejë kuptimin për vetën dhe botën ku qenëson. Por ky kërkim është i çliruar nga kimerat metafizike. Por flet për fatet individuale të njerëzve. Këtë parim mbase më mirë se asgjë tjetër e shpreh poezia “Ekzistenca”. Poezi kjo që e afirmon parimin e qenies mbi çdo shtysë tjetër. Mjafton ekzistenca. Dhe jo impulset për posedim të dikujt.
Kurse me anë poezive tjera ai e shpreh protestën, zemërimin, nderimin, ironinë, zhgënjimin, frikën, emocionet, ëndrrat, për vetën dhe botën në të cilën gjendet. Pra kapërthimi i “frymës së kohës” me anë të artit të tij poetik është njëra nga cilësitë e tij krijuese.
Kështu, bie fjala, në poezinë “Helena” autori shpreh lamentin e tij për humbjen e kuptimit të dashurisë për shkak të efekteve tjetërsuese që logjika e tregtisë ushtron mbi qenien e njeriut. Ku çdo gjë instrumentalizohet. Madje edhe dashuria.
Ndërkohë, duke parë suksesin e lloj-lloj matrapzëve në këtë botë, në poezinë “Gishti i mesëm” ai shpreh frikën e tij jo nga vdekja, këtë fund të natyrshëm të njeriut, por sikur edhe në botën tjetër te gjenden fitimtar të njëjtit? Prandaj, Uranit poezia i mbetet i vetmi ngushëllim në këtë rast dhe jo rrëfimet tradicionale metafizko-religjioze, që na ofrojnë ngushëllim për vuajtjet e kësaj botë, e cila edhe ashtu është kalimtare, për hir të shpëtimit në botën tjetër që është e përjetshme.
Në mesin e poezive që na flasin më qartë dhe kumbueshem, së çdo gjë tjetër, për triumfin e mashtrimit , pa dyshim se është poezia “Antiherojntë”. Me anë këtyre vargjeve të thjeshta dhe goditëse, ai pohon se “fiasko ka pësuar kjo jetë, kjo botë ka pësuar fiasko,kur sheh heronjtë e vërtetë, të nënshtrohen nga ata fals”
Ndërkohë, poezia “fëmijët e viteve ’90, e pasqyron dhimbjen e autorit për mungesën e fëmijërisë reale. Mungese kjo që ishte e të gjithë fëmijëve që u rritën në Kosovë në atë kohë të errët. Sepse, ajo ishte vetëm forma e fëmijërisë, ku “lumturi ishte të shihje se prindërit ishin gjallë ashtu siç ishin të vdekur në jetë. Për Uranin “ ishte e gënjeshtër ajo fëmijëri, mashtrim i dukjes se ne kishim vetëm forma të fëmijëve dhe fëmijëria jonë vetëm formë të fëmijërisë”. Në këtë linjë edhe poezia”Mësuesi shqiptar” është emblematike. Sepse të ishe mësues shqiptar do të thotë të ishe i gatshëm të vdisje për shkollën ne gjuhen shqipe.
Natyrisht syrit të tij poetik nuk i shpëtojnë as shumë fenomene groteske që kanë marrë hov kohën e fundit. Sikur ajo e etablimit të analistit politik kosovar. Me anë të kësaj poezie, ai i demaskon iluzionet e rrejshme që lidhen me këtë kategori. Pamjen, qëndrimin dhe formën që e marrin ata nëpër studio televizive, vetëm e vetëm për të mbuluar deficitet e tyre reale, e të cilët operojnë kryesisht mbi bazën e thashethemnajave ditore. Pikturim i thjesht dhe i saktë i kësaj “specie” publike është mahnitës “analisti politik kosovar e ka çehren e dijetarit edhe gjestet me duar i bënë ashtu o çfarë kënaqësie për t’i parë analistët kosovarë si duken në një televizor pa zë” Më shumë se kaq nuk mund të thuhet.
Në këtë kontekst, libri me poezi “Zemër me lëkurë leopardi” i poetit Uran Krasniqi është “njerëzor tepër njerëzor”. Si i tillë ai e pasuron mozaikun e letrave shqipe në botën tonë poetike. Në fund s’na mbetet tjetër, pos t’i urojmë autorit që të na sjell sa më shumë krijime të tilla!