Meritan Shabani është njëri prej yjeve kosovarë që është duke u zhvilluar në akademinë e klubit të njohur gjerman, Bayern Munich.
Mesfushori ofanziv me tipare sulmuese është njëri prej talentëve më premtues të skuadrës më të trofeshme gjermane.
Ai ishte edhe golashënuesi i parë në ndeshjen e mbrëmshme në mes të Bayern Munich – Manchester City, një ndeshje që gjermanët e humbën me rezultat 3-2.
Por, a do të luajë ai për Kosovën apo do të vazhdojë që të zgjedh të luajë për Gjermaninë, një Kombëtare që mund ta ftojë Meritanin që të luajë në të ardhmen për ta.
Bajram Shala, menaxher për media dhe licencime në Federatën e Futbollit të Kosovës ka treguar për Gazetën Express se ata janë në kontakte të vazhdueshme më familjarët e Shabanit.
“Po ka shumë kohë që jemi në kontakt me familjarët e Meritanit”, ka thënë ai. “Ata kërkojnë që të mos nguten dhe fillimisht duan ta shohin sesi po zhvillohet Meritani e më pas të marrin një vendim”.
Sipas Shalës, FFK do të bëjë gjithçka që do të jetë e mundur që ta këtë në radhët e saj yllin që është duke u rritur nga akademia e Bayernit në Gjermani.
“Ne ua kemi bërë të qartë që jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e mundshme që Meritani të përcaktohet dhe të luaj për Kosovën”.