Trajneri Sylvinho dhe drejtori sportiv, Juninho, janë në presion të jashtëzakonshëm pas humbjes së Lyonit nga rivali i përbetuar St. Etienne (1:0), e cila ka zgjatur serinë e ish-kampionit të Francës në shtatë ndeshje kampionale pa fitore.
Dyshja braziliane u emërua në krye të Lyonit, pasi drejtuesit e klubit vendosën që të mos i rinovojnë kontratën trajnerit Bruno Genesia pas përfundimit të edicionit të shkuar. Klubi fillimisht ktheu legjendën Juninho që ishte idhull te Lyoni gjatë karrierës si lojtar për shtatë vjet (2001-2008). Pas Junihnos, në postin e trajnerit erdhi një brazilian tjetër, Sylvinho që karrierë si lojtar ka bërë tek ekipet si Corinthians, Arsenal, Celta, Barcelona e Manchester City, shkruan sot Koha Ditore.
Angazhimi i kësaj dyshe shtoi shpresat te tifozët e Lyonit se ekipi i tyre më në fund do të jetë i denjë për ta sfiduar PSG-në për titullin e kampionit. Lyoni ka shtatë tituj kampioni në Ligue 1, të fundit në edicionin 2015/16.
Starti i Lyonit këtë edicion ishte perfekt. Realizoi nëntë gola dhe pranoi vetëm një në dy ndeshjet e para, duke dhënë sinjal se do të jetë konkurrent i fortë për titull. Megjithatë, gjërat shumë shpejt ndërruan kahe, duke bërë që Lyoni në shtatë ndeshjet e fundit të tubojë vetëm tri pikë. Në fakt, Lyoni nuk po duket aspak ekipi agresiv që ishte nën urdhrat e trajnerit Genesio.