(Poezi nga Blerina Rogova Gaxha)
të martuarit nuk flasin për seksin
nuk flasin për çmenditë
të martuarit sillen me dashamirësi
si miq të vjetër e t’mirë
ose armiq të përbetuem mes zënkash
që shtohen me kohën
një marrëveshje e pashkrueme krerësh të shpisë
për urrejtjen nuk flitet megjithatë
siç nuk flitet për dashninë
as të bërit dashni
për shpirtin vetmitar aq më pak
andrrat e vdekuna e mërzinë
të martuarit janë gurë të shpërlamë uji por
janë aty