Kur Mujo Hrustanoviqi ishte transferuar në vitin 1997 në kampin e refugjatëve “Jezevac” në Bosnjë, ai kishte menduar se do të qëndronte aty vetëm disa muaj. Kështu i kishte thënë qeveria. Megjithatë, më shumë se dy dekada më vonë, ai ende jeton në këtë kamp.
Burri 75-vjeçar jeton në një ndërtesë me 30 metra katrorë me bashkëshorten, djalin, të renë dhe dy fëmijët e tyre në njërën nga 50 shtëpitë e vogla të kampit të ndërtuar nga organizatat ndërkombëtare afër qytetit Tuzla, shkruan “The Guardian”.
Këto shtëpi, të cilat fillimisht ishin ndërtuar si zgjidhje e përkohshme, tashmë janë bërë vendbanime të përhershme për qindra të mbijetuar të gjenocidit në Srebrenicë, krimit më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, transmeton Gazeta Express.
“Ata na kanë braktisur”, thotë i biri i Hrustanoviqit, Avdo, 25-vjeçar, i cili i kishte vetëm disa muaj, kur prindërit e tij ishin të detyruar të largoheshin nga Srebrenica. “Këta njerëz i kanë treguar komunitetit ndërkombëtar për të gjitha dhimbjet e tyre dhe çfarë kanë marrë? Një shtëpi të vjetruar dhe janë harruar nga të gjithë”, tha ai.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat që ishin nën komandën e gjeneralit serb të Bosnjës, Ratko Mladiq, hynë në Srebrenicë, e cila banohej nga shumica myslimane. Këto forca i rrethuan të gjithë burrat e moshës së pjekur dhe i vranë ata. Rreth 8100 njerëz u vranë në Srebrenicë. Në mesin e tyre ishin edhe vëllezërit e Hrustanoviqit.
Në përgjithësi, gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë u vranë rreth 100 mijë njerëz, ndërsa dy milionë të tjerë u detyruan të shpërngulen nga vendbanimet e tyre.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, mbi 98 mijë persona ende nuk ishin kthyer në shtëpitë e tyre deri në vitin 2015. Shtatë mijë prej tyre ndodhen në qendra kolektive të strehimit