Gratë e Srebrenicës protestojnë kundër Nobelit për Handken

Prishtinë | 05 Nën 2019 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Gratë e mbijetuara nga masakra e tmerrshme e Srebrenicës, e cila ishte krimi më i rëndë gjatë luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, protestuan të martën në Sarajevë kundër Çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak, Peter Handke, i cili njihet si përkrahës i ish-liderit famëkeq serb, Sllobodan Millosheviq.

Vendimi i akademisë suedeze për ta zgjedhur këtë shkrimtar si fitues të çmimit prestigjioz nxiti reagime të ashpra muajin e kaluar në Ballkan dhe më gjerë për shkak të vlerësimit pozitiv që Handke ia bënte liderit të ndjerë serb, i cili ndryshe njihet si “kasapi i Ballkanit”.

Të martën, disa gra boshnjake u bashkuan për të protestuar para ambasadës suedeze në Sarajevë, ku princesha suedeze, Viktoria, dhe bashkëshorti i saj, princi Daniel, janë duke e zhvilluar një vizitë zyrtare.

Këto gra kanë planifikuar që të protestojnë çdo javë deri më 10 dhjetor, kur shkrimtari austriak ta pranojë Çmimin Nobel.

Disa prej tyre e mbanin në duar fotografinë e shkrimtarit kur ai e kishte vizituar Srebrenicën, vendi ku u masakruan rreth tetë mijë djem e burra boshnjakë nga forcat serbe në korrik të vitit 1995.

Sipas tyre, ky shkrimtar e kishte vizituar Srebrenicën më pak se një vit pas krimit të tmerrshëm. Në fotografi, ai shihet pranë një shenje komunikacioni që shënon hyrjen në qytezë.

“Ne nuk pajtohemi që ky çmim t’i jepet dikujt që i ka përkrahur krimet dhe gjenocidin”, tha Munira Subasiq, kryetare e Shoqatës së Nënave të Viktimave të Srebrenicës.

Në vitin 1997, Handke ishte akuzuar se i ka zvogëluar krimet serbe të luftës në librin e tij “Një Shëtitje te Lumenjtë: Drejtësi për Serbinë”, shkruan “France24”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme