Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të mërkurën në orën 10, të mbahet seancë e jashtëzakonshme ku do të diskutohet për dokumentin e përgatitur nga Qeveria e Kosovës si “Draft-marrëveshja gjithëpërfshirëse midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, raporton Ekonomia Online.
Kjo seancë ka ardhur me kërkesë të Grupit Parlamentarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas deputetes nga Lëvizja Vetëvendosje Albulena Haxhiut, ky dokument është i papranueshëm pasi që sipas saj ky dokument përmban një pozicion neutral për Republikën e Kosovës.
“Siç e dini premten LVV dhe LDK kanë mbledhur 40 nënshkrime për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme. Kjo marrëveshje iu është shpërndarë vendeve të QUINT-it. Ky dokument për LVV-në është i papranueshëm. Duhet theksoj që për ne është e papranueshme që qeveria e Kosovës të shkruan një dokument sikur të kishte një pozicion neutral karshi republikës sonë”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se kjo draft marrëveshje përbën disa çështje brenda saj të cilat janë obligim për republikën e Kosovës.
Haxhiu gjithashtu tha se të mërkurën Lëvizja Vetëvendosje, do të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje.
“Shumë prej çështjeve në këtë dokument janë obligime për republikën e Kosovës. Të mërkurën kemi konferencë të jashtëzakonshme ku do kemi mundësi të bisedojmë më gjerë rreth kësaj çështje”, pohoi Haxhiu, raporton EO.