Katër persona, tre prej të cilëve të mitur, janë arrestuar të hënën në fshatin Carallukë të Malishevës, nën dyshimin për posedim dhe përdorim të paautorizuar të armës.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 13:35, kur gjatë një kontrolli policor në një veturë është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë. Dyshohet se automjeti ishte marrë pa lejen e pronarit nga njëri prej të dyshuarve, ndërsa arma ishte përdorur nga të miturit.
Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe konfiskuar edhe katër gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, të cilat janë sekuestruar si dëshmi materiale.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të punëtorëve të Qendrës për Punë Sociale. Me vendim të prokurorit, pas përfundimit të procedurave fillestare, të katër janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
“Janë arrestuar katër të dyshuar-tre prej tyre të mitur, pasi gjatë kontrollit policor në një veturë, (të cilën dyshohet se të miturit e kishin marrë pa lejen e pronarit të veturës, tani si i dyshuar), kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, të cilën dyshohet se e kishin përdorur të dyshuarit e mitur. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 4-gëzhoja cal-9mm, si dëshmi materiale. Të gjithë të dyshuarit, pas intervistimit në prezencë të punëtorëve të QPS-së, në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt”.