A ke menduar ndonjëherë kështu? Kur arrite synimin ose kur more atë që doje, të zgjati lumturia apo nisi të të venitej? Sigurisht, arritja e një synimi ose fitimi i diçkaje që duam mund të na bëjë të lumtur, por kjo lloj lumturie mund të jetë si flluskë sapuni. Lumturia afatgjatë nuk bazohet vetëm në arritje e në gjëra që blihen. Ashtu si shëndeti i mirë, edhe lumturia e vërtetë varet nga një sërë faktorësh.
Secili nga ne është unik. Ajo që të bën ty të lumtur, nuk e bën një tjetër. Veç kësaj, ndryshojmë me kalimin e viteve. Ama, provat tregojnë se në përgjithësi disa aspekte ndikojnë te lumturia më shumë se të tjera. Për shembull, nëse gjejmë kënaqësi, shmangim zilinë, zhvillojmë dashuri për të tjerët e mësojmë të rimëkëmbemi mendërisht dhe emocionalisht, do ta kemi më të lehtë të jemi të lumtur.
Të njohim realitetin, ta pranojmë e të vlerësojmë ato që kemi, pa qenë nevoja të ndryshojmë domosdoshmërish atë çka po jetojmë, mund të na ndihmojë të reduktojmë stresin. Sekreti qëndron tek aftësia për të mësuar që ta duash veten, ose thënë ndryshe, një gjendje mendore që na lejon të bëjmë llogaritë me gjërat e vështira që na ndodhin dhe të menaxhojmë emocionet, duke u përgjigjur në mënyrë të vetëdijshme, në vend që të reagojmë ndaj një situate.
Padyshim që ne si qenie egoiste, kërkojmë gjithnjë e më shumë më të mirën. Kjo absolutisht nuk është një gjë e keqe, por a keni menduar ndonjë natë para se të flini se jeni kënaqur për atë që jeni dhe për ato që keni? A e keni vlerësuar jetën ashtu siç e keni ndërtuar? Sekreti për të qenë të lumtur e për të pasur një jetë të qetë, është që të kënaqemi e të vlerësojmë çdo ditë që na dhuron Zoti, të vlerësojmë shëndetin e mirë, familjen, punën apo shkollën, të shfrytëzojmë e të përfitojmë më të mirën që jeta na ofron.
Nuk duhet të na mposhti syri lakmitar, duke u munduar për më shumë pa iu gëzuar atyre që kemi njëherë. Jeta është dhurata më e çmuar që na është dhënë. Por atë shpesh e konsiderojmë si një fakt aq të mirëqenë dhe të pandryshueshëm sa në njëfarë mënyre e “marrim nëpër këmbë” ose bëjmë tolerime të tilla që më pas na kushtojnë shtrenjtë.