Të paktën 17 persona kanë vdekur nga vërshimet në perëndim të Afganistanit, ka thënë një zyrtar qeveritar.
Në vërshimet, që nisën dy ditë më parë, 12 persona humbën jetën në provincën Jawzjan, dy të tjerë në Badgihis, dhe po ashtu dy persona humbën jetën në provincën Herat, tha Shir Khani, zëdhënës i Autoritetit për Menaxhimin e Katastrofave Kombëtare të Afganistanit, transmeton Reuters.
Mbi 500 shtëpi po ashtu janë shkatërruar nga vërshimet.
Zyrtarët në provincën Herat, që gjendet në kufi me Iranin, kanë dhënë një shifër më të lartë të viktimave sesa Qeveria. Abdul Hakim Tamana, që është shef i shëndetit publik në këtë provincë, tha se në Herat nga vërshimet kanë vdekur tetë persona, ndërkaq nëntë të tjerë janë lënduar.
Vërshimet kanë shkatërruar qindra shtëpi dhe disa vende historike, ura dhe autostrada, tha Jilani Farhad, zëdhënës i provincës Herat.
Organizata e ndihmave World Vision, përmes një deklarate tha se duket se dhjetëra mijëra persona në Afganistan janë prekur nga vërshimet.