Të përbashkëtat dhe dallimet e LVV-së dhe LDK-së në planin ekonomik

Prishtinë | 09 Tet 2019 | 09:51 | Nga Ekonomia Online

Programet ekonomike të dy partive me më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nga ekspertë të fushës së ekonomisë konsiderohen se kanë elemente të përbashkëta, por edhe dallime të mëdha.

Nga rezultatet preliminare të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25.49 për qind të votave, pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind të votave. Këto rezultatet nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse ende preliminar, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike pretendojnë që të krijojnë së bashku Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi, janë parti diametralisht të kundërta sa i përket orientimeve të tyre politike. Përderisa LDK është parti e djathtë, Vetëvendosje, sipas tij, është parti e majtë.

Në aspektin ekonomik këto parti, shton Gashi, kanë disa pika të përbashkëta, por kanë edhe dallime.

“LDK (në programin e saj) e ka fondin investiv ose zhvillimor, përderisa një fond përafërsisht të ngjashëm e ka LVV me një emër tjetër, që synon zhvillimin e sektorit privat. Dallimet kryesore janë se LDK si parti e djathtë e ka prioritet sektorin privat si bartës të zhvillimit ekonomik, përderisa VV si parti e majtë favorizon forcimin e skemave sociale dhe luftimin e varfërisë nëpërmes ndarjes së të ardhurave kombëtare”, thotë Gashi.

Nga projektet e cilësuara si kapitale, nënvizon Gashi, e përbashkëta tjetër e këtyre dy subjekteve politike është qëndrimi i tyre në lidhje me autostradën e Dukagjinit. LDK edhe LVV, thotë Gashi, kanë favorizuar idenë e zgjerimit të rrugëve ekzistuese që lidhin komunat e Dukagjinit dhe jo që të shkohet në ndërtimin e autostradës së re.

Po ashtu, sipas Gashit, një tjetër synim i proklamuar dhe i përbashkët i këtyre dy subjekteve politike është ai për luftimin e korrupsionit dhe favorizimin nëpërmes ndarjes buxhetore për të rinjtë.

Praktikat ndërkombëtare, shton Gashi, kanë treguar që nuk është e pamundur që një parti e djathtë të qeverisë me një parti të majtë, por problemet kryesor janë tek orientimi i tyre zhvillimor.

“Përderisa djathtistët konsiderojnë se luftimi i varfërisë duhet të bëhet përmes fuqizimit të sektorit privat dhe krijimit të vendeve të reja të punës, ndërsa partitë e majta zakonisht kërkojnë shpërndarjen proporcionale të të ardhurave, do të thotë tatimimit të të pasurve dhe bizneseve dhe ndarjen e tyre me shtresat e varfra të shoqërisë”, thotë Gashi.

Lëvizja Vetëvendosje në programin e saj ka paraparë krijimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës dhe Bankën Zhvillimore. Fondit Sovran, sipas programit të LVV-së, do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës Po ashtu, Vetëvendosje ka paraparë që Agjencia Kosovare e Privatizimit të shuhet dhe asetet e saj t’i kalojnë Fondit Sovran.

Ndërsa, Banka Zhvillimore, sipas programit të LVV-së, do të jetë komponenti kreditues i cili do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që krijojnë vende pune e përmirësojnë bilancin tregtar, duke u përqendruar në rritjen e eksporteve e zëvendësimin e importeve.

Në programin në fushën e ekonomisë, LDK-ja, në anën tjetër, ka paraparë fuqizimin e Fondit Garantues të Kredive dhe Fondin për Investime. Qëllimi i Fondit Garantues të Kredive sipas programit të LDK-së është garantimi i kredisë deri në 50 për qind, duke ulur kështu nevojën për kolateral për bizneset vendore.

Bazuar në këtë program, qeveria e LDK-së synon të themelojë Fondin Investiv, bazë e të cilit do të jenë mjetet financiare të privatizimit, në vlerë prej 300 milionë eurove.

“Fondi në fjalë do të synojë mbështetjen financiare të ideve inovative në vend”, thuhet në programin e LDK-së.

Një projekt i nisur shumë vite më parë për kapacitete të reja energjetike, siç është ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, ndanë orientimet e të dy partive.

Derisa, Vetëvendosje ka paraparë ndërmarrjen e hapave për funksionalizimin e Interkoneksionit me Shqipërinë, me rezultat garancinë e furnizimit me energji elektrike, ndërprerjen e varshmërisë energjetike nga Serbia dhe se sipas LVV-së, termocentrali ‘Kosova e Re’, nuk do të jetësohet.

Ndërkaq në programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thuhet LDK-ja do ndërtojë kapacitete të reja energjetike, por do të refuzojë secilën alternativë investuese që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100 për qind.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, thotë se sa i përket termocentralit “Kosova e Re”, është në një fazë kritike jo për shkak të qeverisë së kaluar apo të ardhshme, por për shkak se investitori potencial ka probleme për të gjetur financimin e këtij projekti.

Sidoqoftë, në rast se LVV dhe LDK vendosin të krijojnë koalicion qeverisës, pritjet janë që të dy partitë, krahas pozicioneve politike, të merren vesh edhe në lidhje me politikat kryesore nga fusha e ekonomisë. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme