Aeroporti Ndërkombëtar ”Adem Jashari”, në Prishtinë, ka filluar t’u ofrojë punë praktike personave të prekur nga Sindromën Down. Disa të prekur nga kjo sindromë thanë se punën po e bëjnë me shumë qejf.
Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës ‘’Down Sindrom Kosova’’, Sebahate Hajdini, konsideron se Aeroporti i Prishtinës duhet të jetë shembull për institucionet e tjera, në mënyrë që të ofrojnë punë praktike për personat e prekur nga kjo sindromë, shkruan televizioni publik.
Katër persona të prekur nga Sindromën Down tashmë janë pjesë e Aeroportit Ndërkombëtar ”Adem Jashari”, në Prishtinë, duke kryer punën e tyre praktike.
Linda Dibra, njëra nga ta, nuk mund të fshehë gëzimin për mundësinë që i është ofruar.
“Hera e parë në aeroport. Unë jam me sindromën down edhe shumë mirë jam me kafet. I shërbej kafet shumë mirë, pagesat, kusurin edhe është shumë mirë. Me stafin shumë mirë jam, e kam një shef që është shumë i mirë”, thotë ajo.
Elona Gashi, një tjetër e prekur nga kjo sindromë, thotë se mezi pret që në mëngjes t’ ia shërbejë kafen menaxheres së zyrës për media, Valentina Gara.
Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës “Down Sindrom Kosova”, Sebahate Hajdini vlerëson se puna praktike për personat e prekur me këtë sindromë në aeroport ndikon në integrimin e tyre.
Hajdini tha se kjo që po bën aeroporti për katër pjesëtarë të këtij komuniteti do të duhej të jetë shembull për institucionet e tjera.
“Kjo praktikë ka një rëndësi shumë të veçantë, duke marrë parasysh që prezantimi i personave me sindromën down brenda ambientit të aeroportit, do të ndikojë shumë në ngritjen e vetëdijes edhe të qytetarëve të tjerë, të cilët nuk kanë pasur rastin të shohin që personat me sindromën down mund të punojnë dhe të japin kontribut në fusha të ndryshme”.
Ndërkaq, menaxherja për media në Aeroportin Ndërkombëtar ”Adem Jashari”, Valentina Gara, konsideron se ky aeroport ka mundësuar punë praktike për persona të prekur nga sindroma down me qëllim të integrimit të tyre në shoqëri.
“Një praktikë e tillë do të duhej të ndiqej edhe nga kompani të tjera në Kosovë, meqenëse kjo ua jep atyre mundësinë që të jenë më të shoqërueshëm dhe ua jep një ndjenjë, siç e patë edhe ju që ata janë shumë të lumtur si punonjës të aeroportit.”
Ndryshe për angazhimin e këtyre personave për punë praktike, institucionet e vendit obligohen edhe me ligj, thotë drejtoresha e Qendrës “Down Sindrom Kosova” Sebahate Hajdini. Zyrtarë të Aeroportit të Prishtinës ”Adem Jashari”, u zotuan se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.