Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës (TK), Agron Mustafa, erdhi në krye të kësaj ndërmarrjeje publike në fillim të vitit 2015 kur Telekomi sapo e kishte përmbyllur vitin paraprak me një fitim prej 16.5 milionë eurosh. Mustafës pritet t’i skadojë kontrata nesër, por ai po e lë këtë ndërmarrje në gjendje shumë të rëndë financiare
Në kohën kur Agron Mustafa erdhi në krye të Telekomit të Kosovës (TK), më 22 shkurt 2015, ndërmarrja sapo e kishte mbyllur vitin paraprak me një fitim prej 16.5 milionë eurosh.
Ndonëse kjo ishte përgjysmë më pak se viti 2013 kur fitimi ishte 36.1 milionë euro, me zgjedhjen e Mustafës në krye të Telekomit pritej që të ndalej ky trend negativ i performancës financiare. Por, përveçqë nuk u ndal trendi negativ, ndërmarrja këta tre vjetet e fundit shënoi rënien më të madhe ndër vite, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Sipas raporteve të performancës financiare për Telekomin, qysh në vitin e parë kur Mustafa erdhi në pozitën e kryeshefit ndërmarrja e mbylli vitin me një humbje prej 7.9 milionë eurosh.
Bëhet fjalë për vitin 2015, përderisa vetëm një vit më herët, më 2014-n, Telekomi e kishte mbyllur vitin me një fitim prej 16.5 milionë eurosh.
Në vitin pasues, më 2016-n, kur pritej që të merreshin masat në uljen e shpenzimeve ndërmarrja shënoi performancën më të dobët ndër vite. Ajo e mbylli vitin 2016 me një humbje prej 31 milionë eurosh, duke e çuar kështu ndërmarrjen në prag të falimentimit.