Të rinjtë po i shtyjnë Anglinë e Italinë drejt “Euro 2020”

Prishtinë | 09 Tet 2019 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësueset e Anglisë dhe Italisë, që kanë formuar skuadra të reja dhe të talentuara, janë pranë kualifikimit në “Euro 2020”, pasi iu mungon vetëm edhe nga një fitore për të siguruar pjesëmarrjen në turneun e vitit të ardhshëm, ndonëse eliminatoret nuk do të përfundojnë deri në muajin nëntor.

Anglia e Italia janë dy prej pesë përfaqësueseve që mund të kualifikohen për “Euro 2020” gjatë ndeshjeve të këtij muaji.

Gjithashtu, kualifikim të hershëm këtë muaj mund të sigurojnë edhe Spanja, Belgjika e Rusia. Por Anglia dhe Italia dallojnë prej tyre për shkak se në përbërje kanë kryesisht lojtarë të rinj, shkruan AFP.

Me nga dy ekipe që kualifikohen direkt për evropian prej dhjetë grupeve, Anglisë i nevojitet fitorja në ndeshjen që e luan të premten në Pragë ndaj Çekisë. Kjo ndeshje luhet në kuadër të Grupit A, të cilit Anglia i prin me 12 pikë nga katër ndeshje, duke lënë pas vetes Çekinë (9) dhe Kosovën (8) që kanë nga një ndeshje më shumë të luajtur, transmeton Koha Ditore.

Seleksionuesi Gareth Southgate ka ndërtuar ekip të mirë pas botërorit “Rusia 2018”, ku arriti deri në gjysmëfinale dhe i cili ka treguar një dominim total në eliminatoret për “Euro 2020” pasi ka realizuar 19 gola.

Të ngjashme