Kush do të merret me krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe pse duhet besuar që Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë do t’i ndriçojë këto krime edhe pas misionit të Kombeve të Bashkuara dhe atij të Bashkimit Evropian?
Këto janë pyetje, të cilat të rinjtë nga bashkësia shqiptare ia kanë bërë zyrtarëve të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar në Kosovë, që njihen si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, gjatë diskutimeve në Prishtinë, lidhur me mandatin dhe punën e kësaj gjykate.
Të rinjtë në Kosovë e shohin me skepticizëm dhe mosbesim Gjykatën Speciale për krime të luftës. Përderisa të rinjtë shqiptarë konsiderojnë që kjo gjykatë është raciste dhe se do të merret vetëm me shqiptarët e Kosovës, në anën tjetër, të rinjtë serbë konsiderojnë që rëndësia dhe relevanca i kanë humbur kësaj gjykate që në momentin që ajo është quajtur ‘gjykatë e Kosovës’.
Zyrtarët e Dhomave të Specializuara, gjatë këtij viti, në çdo muaj kanë qëndruar në Kosovë dhe ngjashëm ka ndodhur edhe në vitin 2018. Përmes programit për komunikim dhe përafrim me opinionin, të quajtur „Outreach“, zyrtarët e Gjykatës Speciale kanë për qëllim që me konsultime, tribuna dhe diskutime publike, të informojnë opinionin e Kosovës për punën e gjykatës.