Grupi punues për implementimin e Strategjisë për Narkotikë ka diskutuar lidhur me raportet e tremujorit të parë të këtij vitit, të të gjitha institucioneve të cilat janë të përfshira në përmbushjen e objektivave të përgjithshme të Strategjisë kundër Narkotikëve.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, vlerësoi se gjatë periudhës janë mbajtur disa takime të rëndësishme si jashtë vendit dhe brenda me qëllim të bashkimit të sa më shumë aktorëve për një luftë sa më efikase ndaj parandalimit të trafikimit të narkotikëve.
Zëvendësministri Mustafa me këtë rast kërkoi nga të gjithë aktorët që gjatë periudhës së ardhshme të shtohen aktivitet në mënyrë që të përmbushen obligimet që kanë secili institucion, pasi vetëm në këtë mënyrë do të vjen deri te parandalimi dhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve sa i përket problematikës së përdorimit të narkotikëve.
Si objektiva të rëndësishme të aktiviteteve për periudhën e ardhshme mbetën: Organizimi i një konference ndërkombëtare kundër narkotikëve; hartimi i një projekti të përbashkët për parandalimin e përdorimit të narkotikëve; intensifikimi i bashkëpunimit me organizatat e ndryshme ndërkombëtare, si EMCDDA etj dhe zgjerimi i qendrave që ofrojnë shërbime trajnimi për viktimat e përdorimit të narkotikëve.