Vitin e ardhshëm në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të prezantohen gjithsej 11 premiera, ndërsa skenën e madhe të TKK-së do të prezantohen gjashtë prej tyre. Kështu njoftojnë përmes një kumtese për media drejtuesit e këtij institucioni, shkruan sot, gazeta Zeri.
“I ligu për mend” tekst i Gjergj Fishtës, “Ballkan Bordel” nga dramaturgu Jeton Neziraj, “Don Quijot i kohës sonë” nga Tariq Ali, “Arturo UI: Historia e një karriere që mund të frenohej” e Bertold Brecht, “Pasioni” i Sabri Hamitit dhe shfaqja“Njeriu që mungonte” e Zymber Kelmendi janë disa nga shfaqjet që do të prezantohen para publikut të këtij institucioni në 2017-ën.
Në anën tjetër, në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të prezantohen edhe pesë shfaqje të tjera. “Dëshira Tours” nga Tenesi Uilliams me regji të Ardi Mejzini,“Të Harruarit” (titull pune) nga Dafina Halili dhe regjisorja Shkurta Aliu, “Zoti i masakrës” nga Jasmina Reza, me regji të Besfort Idrizit, “Një përmendore për Gomarin” nga Ali Mehmetaj dhe regjisorja Natyrë Kallaba dhe shfaqja “Sadomazo” nga Dhurata Hoti, me regji të Kreshnike Osmanit.
Shfaqja “Gazetarja e kulturës vetëvritet” nga Idlir Azizaj me regji të Alban Beqirajt ishte premiera e fundit e teatrit për këtë vit.