Strategjia për reklamimin e shfaqjeve nëpër rrjete sociale dhe në ueb faqen e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka pasur ngecje për gati gjysmën e vitit 2018 dhe ky institucion synon që me hartimin e një strategjie të re ta rikthejë publikun për vitin që vjen.
Rreth dy mijë euro është shuma që ndan TKK-ja për reklamimin e projekteve teatrore, por për gjashtë muaj të këtij viti ky institucion ka pasur telashe në promovimin e projekteve, për shkak se ishte pezulluar kontrata me personin e autorizuar për këtë veprimtari, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vetë drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi, ka pohuar se për periudhën prill deri në tetor të këtij viti strategjia promovuese nuk ka funksionuar dhe nuk e përjashton mundësinë që gjatë kësaj kohe regjisorët kanë mundur të paguajnë vetë për sponsorim të shfaqjeve në llogarinë e rrjetit social “Facebook” të TKK-së. Jozyrtarisht, regjisorë që kanë realizuar shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës gjatë vitit 2018 e kanë pohuar se disa herë i kanë sponsorizuar me mjete të vetat reklamimet në rrjetin social “Facebook”.
Agim Sopi, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, e ka pohuar se ky institucion ka pasur telashe në aspekt të promovimit të shfaqjeve.
“Ne kemi pasur disa ngecje në muajt e kaluar në realizimin e reprizave, si dhe në mënyrën e menaxhimit të formave reklamuese për shfaqjet e TKK-së. Në dy vjetët e kaluar TKK-ja pati krijuar një lloj strategjie për reklamimin e shfaqjeve në rrjetet sociale dhe në ueb-faqen e vet, duke inkuadruar azhurnimet ditore të përcjella edhe me ndryshimet e mundshme të papritura në programet mujore”, ka thënë Sopi.
Sipas tij, reklamimi i shfaqjeve me sponsorim në rrjetin social “Facebook” është realizuar pothuajse gjatë gjithë viteve 2016 dhe 2017, si dhe në fillim të vitit 2018.