Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se gjatë vitit që lamë pas Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) për 91 udhëtime zyrtare, prej të cilave 38 në Tiranë dhe 20 në Durrës, janë shpenzuar 308 mijë euro, derisa kanë qenë të planifikuara për këtë qëllim vetëm 157 mijë euro.
Gjatë vitit që lamë pas për udhëtime zyrtare jashtë shtetit Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) i ka pasur të planifikuara 157 mijë euro, por në bazë të auditimit që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është konstatuar se për këtë qëllim janë shpenzuar 308 mijë euro, duke tejkaluar kështu shpenzimet prej më shumë se 150 mijë eurove.
“Shuma e planifikuar, buxhetuar në vitin 2016 për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit ka qenë 157.000 euro, ndërsa KGJK-ja ka shpenzuar rreth 308.532 euro. Nga këto mjete janë realizuar 91 udhëtime jashtë vendit. Shumica prej tyre në Shqipëri, 38 në Tiranë dhe 20 në Durrës. Nga auditimi i pesë (5) mostrave për udhëtime, në vlerë 64.177 euro, kemi vërejtur se përveç shpenzimeve të udhëtimit, prej 21.630 eurosh, për të cilat ekzistonin agjendat e udhëtimeve, të tjerat ishin bërë pa agjenda si dhe mbyllja e avansit nuk është bërë brenda afatit të paraparë prej 15 ditësh, siç parasheh Neni 8 i Udhëzimit Administrativ 2004/7”, thuhet në raportin e ZKA-së.(Telegrafi)