Instituti Kanadez i Teknologjisë (CIT) ka mbajtur në Prishtinë konferencën e dytë studentore “Teknologjia e Informacionit, Inovacioni dhe Ekonomia”, raporton Ekonomia Online.
Rektori i Institutit Kanadez të Teknologjisë, Sokol Abazi, në hapjen e konferencës, tha se CIT është i fokusuar ta rrisë bashkëpunimin me universitete në gjithë botën, e se Prishtina është një ndër prioritetet e këtij instituti.
Abazi tha se qëllimi i konferencës është ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, që të dyja vendet të shkëmbejnë eksperiencat nga fusha e ekonomisë dhe arsimit.
“Ishte kënaqësi që kjo konferencë të mbahet në Prishtinë. Zgjodhëm Prishtinën sepse Instituti Kanadez vë një prioritetet në bashkëpunimin me shumë universitete në botë. Kemi rreth 40 marrëveshje me universitete në të gjitha kontinentet dhe Prishtina ka qenë një nga prioritetet tona. Edhe këtu kemi bashkëpunim të mirë me disa universitete, si shtetërore ashtu edhe private. Prandaj kjo konferencë ka ardhur këtu me idenë që të rritet akoma më shumë bashkëpunimin dhe të shkëmbenim, përveç se në fushën e ekonomisë, eksperiencat edhe në fushën e arsimit”.
“Të dyja vendet kemi çfarë të mësojmë nga njëri tjetri. Organizojmë shpesh konferenca sepse vëmendja jonë është te studentët. Përmes tyre ata mund të mësojnë dhe të përgatiten për tregun e punës. Pothuajse qind për qind, pas studimeve në institut, punësohen”, përfundoi Abazi.
E zëvendësministri i Ekonomisë në Republikën e Kosovës, Getoar Mjeku, tha se një ndër prioritetet e ministrisë është zhvillimi ekonomik përmes digjitalizimit.
Sipas Mjekut, përmes zhvillimit të teknologjisë Kosova zhvillohet ekonomikisht.
“Kosovën mund ta shndërrojmë në një oazë digjitale. Me bashkëpunim i kapërcejmë, jo vetëm teknologjitë, por edhe kufijtë; sepse jemi një komb”.
“Fshati i fundit i Kosovës është lidhur me internet dhe kjo është një arritje shumë e madhe për mua. Përmes projektit digjital, synojmë qe të gjitha shkollat dhe institutcionet të jenë të lidhura”.
Ndërsa, administratori i CIT-it, Ubejd Osmani, tha se Instituti Kanadez është i fokusuar në zhvillimin e teknologjisë dhe rritjen e bashkëpunimit.
Ai ka bërë të ditur se në konferencë do të prezantohen 30 punime të studentëve që lidhen me teknologjinë dhe ekonominë, prej të cilave tha se mund të jetë edhe ndonjë start-up i suksesshëm.
“Në CIT jemi të fokusuar në zhvillimin e teknologjisë dhe të jemi një lider jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”.
“Këtu do të jenë mbi 30 punime të përzgjedhura të studentëve. Një nga këto punime mund të jetë një start-up i suksesshëm. Konkluzionet do të jenë frytdhënëse për të ardhmen e konferencave tjera. Ne do të vazhdojmë me konferenca të tilla duke ngritur cilësinë e arsimit në CIT”, raporton EO.