Futbollistët e kampionit të Andorrës, Inter d’Escaldes të enjten kanë mbërritur në Nyon të Zvicrës. U testuan, zhvilluan stërvitjen e parë, shëtitën dhe analizuan një lojë të Dritës nëpërmjet një projektori në hotel. Por, ndryshe ishte dita e enjte për futbollistët e kampiones së Kosovës, Dritës, një ditë para nisjes për në Nyon, ku të shtunën do të përballen në gjysmëfinale të turneut preliminar të Ligës së Kampionëve kundër Inter d’Escaldesit.
Futbollistët e Dritës dhe stafi tjetër i ekipit po prisnin me ethe rezultatet e testeve për koronavirus. E njoftimin se të gjithë 32 anëtarët e testuar të mërkurën në mëngjes kanë dalë negativë, e morën në orën 23:00 pas ritestimit të 17 anëtarëve të tjerë, shkruan KOHA Ditore.
“Dëshirojmë ta njoftojmë të gjithë opinionin që të gjithë personat e ritestuar kanë rezultuar negativë. Nesër (e premte v.j.) do të udhëtojmë të gjithë së bashku më të fortë se kurrë”, thuhej në njoftimin e Dritës, pas rezultateve që i mori vonë.
Mirëpo, ishte drejtori i klubit që gjatë mbrëmjes të së enjtes, Feti Murseli, shprehu shqetësimin për vonesën e rezultateve. Madje, ai tha se “nëse nuk do t’i marrim deri sonte (e enjte v.j.) rezultatet për pjesën tjetër, atëherë do të jetë vonë për ne dhe do të detyrohemi ta njoftojmë edhe UEFA-n për anulimin e udhëtimit. Me grupin e parë që i kemi marrë rezultatet, nuk janë as 12 lojtarë”.
Megjithatë, telashet për Dritën nuk përfunduan të enjten, meqë ende nuk i kanë marrë pasaportat nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë. Murseli ka thënë se vizat u është thënë nga Ambasada se duhet t’i tërheqin në mëngjesin e së premtes (sot), kur edhe do të fluturojnë drejt Zvicrës. Për shkak të vonesës u është dashur ta shtyjnë edhe fluturimin për në Nyon.