Telekomi i Kosovës ka mbetur pa kryeshef ekzekutiv. Drejtorit menaxhues, Agron Mustafa, më 23 shkurt të këtij viti i ka skaduar mandati.
Edhe pse Komisioni ndërministror për ndërmarrjet publike ka rekomanduar që Mustafës t’i vazhdohet mandati edhe për tre muaj të tjerë pasi kjo ndërmarrje është edhe pa Bord funksional të drejtorëve, Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim të tillë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Komisioni ministror për ndërmarrjet publike ka diskutuar gjendjen aktuale në këtë kompani si dhe skadimin e mandatit të KE-së. Ky komision ka rekomanduar vazhdimin e mandatit të KE-së për aprovim në Qeveri si e drejtë e aksionarit për ndërmarrjet publike, dhe pritet t’i vazhdohet mandati për një periudhë për tre muaj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Gazeta nga e mërkura e javës së kaluar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës përgjigje nëse do t’i vazhdohet mandati Mustafës, por nuk ka marrë përkundër se ishte premtuar.