Të hyrat e Telekomit të Kosovës po vazhdojnë të bien në tregun e telefonisë mobile në vend. Në analizën e fundit tremujore të nxjerrë nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ndërmarrja publike ka shënuar nivelin më të ulët të pjesëmarrjes në këtë treg, që nga fillet e saj, shkruan sot Koha Ditore.
Në tremujorin që ka përfunduar në qershor të këtij viti, operatori i Telekomit, “Vala”, ka pasur 51 për qind të të hyrave në tregun e telefonisë mobile. Ndërsa, gjashtë muaj më herët, në fund të 2017-s, ky operator kishte 55 për qind të tregut. Kjo ka bërë që operatorët e tjerë të rrisin hisenë në treg. “IPKO” tani ka 39 për qind të tregut, ndërsa operatori virtual “Z-Mobile” – i cili shfrytëzon frekuencat e Telekomit, ka rreth 6 për qind të tregut.
Ndërkaq pjesën tjetër, rreth 2 për qind, e ka operatori serb “MTS”.
Trendi i rënies së të hyrave të Telekomit është si rezultat i krizës financiare, në të cilën ndërmarrja është futur vitet e fundit. Vitin 2016 kjo ndërmarrje e kishte mbyllur me 60 milionë euro humbje, ku përfshiheshin edhe 26 milionët që ia ka borxh operatorit “Z-Mobile”, pas vendimit të arbitrazhit.