Telekomi i Kosovës shumë shpejt pritet të përballet me sfidën e radhës, përkatësisht me bllokim të kontove bankare.
Pas tejkalimit të problemeve me Kompaninë Z Mobile, sfidën e radhës Telekomi pritet ta ketë me Administratën Tatimore të Kosovës për shkak të borxhit të pa paguar.
Punëtorët ndihen të rrezikuar ndërsa kërkojnë nga qeveria që t’u ofrojë ndihmë. E profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, tha se shteti nuk duhet të lejojë falimentimin e kësaj kompanie, sepse sipas tij, është aset i rëndësishëm kombëtar.
Telekomi rrezikohet sërish me bllokim të kontove bankare. Kësaj radhe nga ATK, për shkak të mos-pagesës së TVSH-së. Këtë e konfirmon për Radio Kosovën kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, i cili bëri të ditur se pas një vonese të konsiderueshme të premten punëtorët kanë arritur të marrin pagat e tyre për muajin tetor.
“Jemi të rrezikuar edhe nga ATK për tvsh që të na bllokojë xhirollogaritë. Shteti duhet pas parasysh që mos ta shkatërrojnë më shumë ndërmarrjen. Në atë kontratë që është nënshkruar me Z Mobile dhe na ka shkaktuar dëme, bordet që kanë dhënë urdhëresë kanë qenë njerëz të qeverisë në Telekom.”
Ndërkaq borxhin ndaj Z Mobile, Balaj thotë se nuk e njohin. Ai shton se marrëveshja e qeverisë parasheh që borxhi ndaj Kompanisë Z Mobile të paguhet me 24 këste mujore.
“Unë kam kuptuar që janë diku 24 këste me një shumë 720 mijë në muaj, por Telekomi nuk ka mundësi ta marrë përsipër atë borxh dhe ne nuk e njohim atë borxh. Nëse qeveria ka vendosur t’ia njohë borxhin, atëherë lë ta marrë përsipër.”
Këto borxhe, si duket po e çojnë Telekomin drejt falimentimit. Njohësi i fushës së Ekonomisë, profesor Muhamet Mustafa, tha se me këto norma Telekomi do të duhet të ishte i falimentuar, por shteti nuk duhet të lejojë një gjë të tillë për shkak së është një aset i rëndësishëm kombëtar.
“Mënyra se si po shkon Telekomi është vetëm keqmenaxhim, keqqeverisje dhe rënie e vlerës së këtij aseti të rëndësishëm. Me të gjitha normat ekonomike ajo po shkon drejt falimentimit, sepse më shumë ka obligime se sa të ardhura dhe nuk ka mjete për t’i paguar obligimet e veta. Por Telekomi është një aset shumë rëndësishëm kombëtar dhe qeveria duhet të bëjë çmos që të ndërmarrë masa që ta mbajë të gjallë.”
Profesori Mustafa konsideron se fillimisht duhet zgjedhur bordin dhe menaxhmentin profesional me njerëz që nuk janë të ndikuar politikisht. Ai tha se Telekomit i duhen investime dhe për këtë duhet të gjejë një partner publiko privat.
Mustafa konsideron se duhet të privatizohet një pjesë e Telekomit, në mënyrë që kompania të konsolidohet edhe në aspektin menaxherial si dhe atë teknologjik. (rtklive)