Kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Prishtinë, njëherit specialisti i shërbimeve të mjekësisë familjare, Valdet Hashani në një intervistë për Ekonomia Online, foli rreth masave mbrojtëse që qytetarët duhet të kenë parasysh në këto temperaturat të larta.
Ai udhëzon që qytetarët të konsumojnë sa më shumë ujë e jo lëngjet me gaz e sheqerna. Ai udhëzoi që t’u qëndrohet larg edhe pijeve alkoolike e rrobave me ngjyrë të mbyllur e ushqimeve të rënda, kalorike e me shumë yndyrë.
Mjeku Hashani gjithashtu rekomandoi që personat mbi-moshë të mbajnë librezën shëndetësore dhe të dhënat personale me vete kur dalin, dhe se kurrsesi fëmijët nën gjashtë muaj nuk guxojnë dhe nuk duhet të ekspozohen drejtpërdrejtë ndaj rrezeve të diellit.
“Faktikisht këtu i kemi tri tema, tri çështje. Çështja e parë është çështja e dehidrimit të organizimit. Çka nënkupton kjo është marrja e sasive të nevojshme të lëngjeve për ta mbajtur në funksion normal trupin. Marrja e lëngjeve nuk nënkupton lëngjet me gaz, pa gaz, por sa më tepër ujë. Ujë natyral, ujë i thjeshtë, pa gaz dhe jo pije alkoolike meqë bëhet domethënë avullimi i lëngjeve trupore”.
“E dyta është çështja e veshjes ose e mirëmbajtjes së rrobave. Rrobat sa më komode, sa më të gjera dhe me ngjyrë sa më të hapur. Me qëllim që të mos bëhet absorbimi i rrezeve të diellit. Rrobat me ngjyrë të hapur nuk i pranojnë rrezet dhe me këtë edhe organizmi ndihet më komod”.
“Dhe çështja e tretë është ushqimi ose marrja e ushqimit. Duhet t’u ikim ushqimeve që janë me shumë kalori, me yndyra dhe të cilat e bëjnë organizmin që të funksionojë me metabolizëm të plotë. Domethënë cilat janë ushqimet të cilat duhet t’i marrim apo konsumojmë, janë ato të cilat përmbajnë fruta dhe perime, lëngje, supa dhe mundësisht në shtëpi mos të ndizen stufat, pra gjërat të cilat emetojnë energji meqë edhe rrisin temperaturën edhe te ambientet e shtëpisë”.
“Ndërsa sa i përket ambienteve të jashtme duhet të kemi kujdes me grup-mosha të caktuara. Grup-moshat, fëmijët, të mos ekspozohen fëmijët deri në dy vjet drejtpërdrejtë. Fëmijët duhet të jenë nën hije, nën ombrellë sidomos prej orës dhjetë deri në ora 17. Ndërsa fëmijët deri në moshën gjashtë mujore absolutisht nuk bënë t’i ekspozohen rrezeve të diellit”.
“Kategoria e dytë e cila duhet të ruhet janë pleqtë dhe ata që kanë sëmundje kronike. Me sëmundje kronike them hipertensionin, çrregullimet metabolike, diabetin, por edhe sëmundjet e tjera kardiovaskulare meqë organizmi me këto temperatura i ekspozohet një rreziku të madh dhe mund të kemi kooagulime ose edhe gjendje më të rënda të pacientëve. Ndërsa mezomoshat janë të lira për veprim edhe nëse janë në gjendje fizike por gjithsesi në temperatura siç i kemi këto ditë, 35-37 gradë, janë temperatura në të cilat nëse nuk ka nevojë të dalin duhet të mbyllen, sepse janë temperatura shumë të larta edhe për organizmin e shëndetshëm”.
“Nëse duhet të dalim duhet që gjatë rrugës apo udhëtimit jashtë të kërkojmë hijen dhe të kemi gjithmonë me vete një shishe me ujë. Ose këta që janë në moshë të shtyrë të kenë me vete të dhënat personale dhe librezën e sëmundjeve meqë në çdo moment mund të koagulojnë, dhe nëse gjenden prej ekipeve ose prej dikujt atëherë u ofrohet shumë më lehtë shërbimi shëndetësor”, tha mjeku Valdet Hashani për Ekonomia Online.