Goditjet në zemër dhe ato në tru kanë pësuar rritje në këtë periudhë të nxehtë në Gjirokastër.
Shefja e urgjencës Jona Leka thotë se shifrat në të dyja rastet kanë qenë pothuajse të njëjta dhe pacientet kanë marrë trajtim të menjëhershëm, shkruan rtsh.al.
Sigurisht që temperaturat e larta kanë pasur ndikim të madh, por Leka vendos theksin te kujdesi i vazhdueshëm që duhet treguar për shëndetin kryesisht nga ata që kanë hasur më parë problematika me zemren dhe trurin.
“Grupmosha më e shpeshtë, e cila vërehet se preket nga këto lloj sëmundjesh, është ajo mbi 50 vjeç. Natyrisht, faktorët e riskut janë të shumtë, por të lidhur kryesisht me stilin e jetesës, trashëgiminë, temperaturat e larta të ambientit dhe me kontrollet shëndetësore, specifikisht kontrollet rutinë, të cilat nuk janë të realizuara në kohë”, tha mjekja.
Gjatë muajve qershor dhe korrik në spitalin rajonal “Omer Nishani” janë konfirmuar 20 raste infarkti dhe goditje në tru, ndërsa të tjerë po nga Gjirokastra madje në shifra më të larta janë konfirmuar dhe trajtuar në spitale terciare.