Skenat e njohura tashmë nuk janë të panjohura për të. Prej Gjermanisë tashmë depërton edhe në Danimarkë me debutim të dyfishtë: në skenën daneze dhe në rolin e Dukës së Mantovës te “Rigolettoja” e Giuseppe Verdit. Është aristokrati i fuqishëm, karizmatik dhe joshës, por edhe sipërfaqësor dhe i pamoralshëm, një rol kërkues që në skenën e Operës Mbretërore të Danimarkës do të jetësohet nga tenori Granit Musliu. “Një përvojë e bukur në rastin e debutimit tim, për herë të parë në rolin e madh të Duca di Mantova”, ka thënë Musliu
Në operën “Rigoletto” të Giuseppe Verdit, Duca di Mantova (Duka i Mantovës) është roli kryesor mashkullor, tenori që paraqet një aristokrat të fuqishëm, karizmatik dhe joshës, por edhe sipërfaqësor e të pamoralshëm. Për ta sjellë në skenë do zotësi të madhe vokale, por edhe si aktor. Është luajtur nga ata që konsiderohen si ikona të skenave operistike.
Kësaj radhe ky rol në “The Royal Danish Opera” (Operën Mbretërore të Danimarkës) do të interpretohet nga talenti i ri shqiptar – me një hov të shpejtë të ngritjeve në skenat e mëdha – Granit Musliu. Nëpërmjet njërës prej operave më të njohura të Giuseppe Verdit, Musliu do të debutojë në institucionin që zanafillën e ka te shekulli i 17-të. Por është debutim i dyfishtë. Edhe si Duca di Mantova. Për Musliun, emri i të cilit tashmë është i njohur sidomos në botën operistike gjermane, ky debutim ka simbolikë të veçantë e peshë të madhe profesionale.
Si personazh në këtë operë, sjellja e tij e pandërgjegjshme do të shkaktojë tragjedinë që godet Rigoletton dhe vajzën e tij, Gildën. Por si rol në karrierën e tij, me këtë Musliu hap edhe një portë të rëndësishme si tenor e po ashtu i tregon botës operistike për talentet që posedon vendi prej nga vjen, Kosova.
Musliu si Duca di Mantova në premierën e së dielës së ardhme do të paraqitet si një burrë që ndjek gratë pa u menduar për pasojat. Do ta joshë Gildan, e cila është vajza e mbrojtur dhe e pafajshme e Rigolettos e veprimet e tij do ta nxisin të atin e vajzës për një hakmarrje që fundin e ka me tragjedi.
Krejt këtë Musliu do ta bëjë me ariet që e shquajnë këtë operë midis të cilave janë “La donna è mobile”, “Questa o quella” e “È il sol dell’anima”. Por, në anën tjetër, ai do të joshë publikun e profesionistë të operës, siç ka bërë në çdo paraqitje të tijën.
“Procesi i provave, i cili ka nisur që nga fundi i muajit nëntor të vitit që lamë pas, ka shkuar shumë bukur, në një atmosferë të këndshme, të rrethuar nga muzika magjike e Verdit, ‘Rigoletton’ dhe nga inskenimi i regjisores suedeze Sofia Adrian Jupither. Një përvojë e bukur në rastin e debutimit tim, për herë të parë në rolin e madh të Duca di Mantova”, ka thënë Musliu të martën mbrëma nëpërmjet një komunikimi nga distanca. Ai ka thënë se në aspektin artistik, interpretimi i Dukës në këtë fazë të karrierës së tij konfirmon pjekurinë në repertorin e Verdit.
“Pas Fentonit dhe Alfredos, ky rol kërkon një kontroll të lartë teknik dhe një prezencë të fuqishme skenike. Debutimi në Operën Mbretërore Daneze përbën një moment kyç, pasi ky teatër është një institucion me traditë qindravjeçare që qëndron në themelet e kulturës operistike evropiane”, ka thënë Musliu.
Karriera e Musliut është tregues i pjekurisë së tij artistike prej tenori të ri. I diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe “Hochschule für Musik und Theater” në Hamburg, Musliu është pjesë e ansamblit të “Bayerische Staatsoper” (Operës Shtetërore të Bavarisë) në Gjermani. Sipas biografisë së tij, në sezonin 2025-2026, Musliu ka debutime të rëndësishme si Fenton në “Falstaff” në Operën Shtetërore të Hamburgut e si Alfredo Germont në “La Traviata” në Operën Shtetërore të Bavarisë. Paraprakisht ai debutoi në “Semperoper Dresden” si Cassio në “Otello”. Ai u shfaq si Don Ottavio në “Soirées Lyriques de Sanxay” dhe do të rikthehet atje në verën këtij viti për të debutuar në rolin e Taminos në “Die Zauberflöte”. Sipas biografisë së tij, repertori i Musliut në Bayerische Staatsoper përfshin gjithashtu role të rëndësishme midis tyre si Edmondo në “Manon Lescaut”, Beppe në “Pagliacci”, Flavio në “Norma”. Deri më tash ka punuar me dirigjentë me nam si: Vladimir Jurowski, Marco Armiliato, Daniele Rustioni, Andrea Battistoni, Henrik Nánási dhe Antonino Fogliani.
Tenori nga Kosova është pjesë e Operës Shtetërore të Bavarisë pas një audicioni të suksesshëm në fillim të vitit 2021. Musliu ishte treguar premtues qysh herët. Vijoi studimet në Hamburg, në klasën e Geert Smitsit, me të cilin ka punuar edhe rolin e Don Ottavios, në konsultime po ashtu edhe me profesoreshën e tij, Caroline Merz, me të cilën bashkëpunon edhe sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi, një prej yjeve të Operës Shtetërore të Hamburgut e me role edhe në shtëpi me nam deri tek Opera e Vjenës.
Musliu u lind në Mitrovicë në vitin 1998. Shkollën fillore dhe të mesmen i përfundoi në vendlindje dhe pastaj studioi solokëndim në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, për të vazhduar drejt Gjermanisë. /koha