Tenori Lahaj gati për debutim me “La Traviata” në Los Angeles

Prishtinë | 09 Maj 2019 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Tenori kosovar Ramë Lahaj do të performojë në “Los Angelos Opera House” në operën “La Traviata” në qershor të këtij viti. Lahaj në datat 1, 9 dhe 13 qershor do të debutojë në skenën e Los Angelesit me këtë kryevepër nga kompozitori italian, Giuseppe Verdi, i cili u bë i njohur për aftësitë e tij në krijimin e melodisë dhe në përdorimin e thellë të efektit teatror. Alfredoja, është roli që do ta ketë Lahaj. Sopranoja rumune Adela Zaharia, fituese e “Operalias” më 2017, është në rolin e Violettas.

Edhe kjo paraqitje do të vijë si bashkëpunim me tenorin dhe dirigjentin e njohur spanjoll Plácido Domingo. Veçanti e kësaj shfaqjeje, sipas Lahajt, është se regjinë e saj do ta bëjë gruaja e Domingos, Marta Domingo.

Lahaj bashkëpunon me tenorin Domingon tash e disa vjet dhe kanë pasur disa paraqitje së bashku nëpër vende të ndryshme.

“Kam udhëtuar në vitet e kaluara së bashku me Domingon e kam performuar në vende si Meksika e Franca”, ka thënë Lahaj, i cili është i entuziazmuar për performancat që do t’i ketë në Los Angeles, provat për të cilën i ka filluar këtë javë. Dirigjent është James Conlon.

Plácido Domingo, i cili ka të regjistruara mbi njëqind vepra të plota dhe është i njohur për shkathtësinë e tij në performim, ka thënë fjalë të mira edhe në të kaluarën për aftësitë artistike të Lahajt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme