Zyra e Bashkimit Evropian, për nderë të Ditës së Evropës organizoi konferencë për shtyp me mysafirin për Ditën e Evropës, tenorin Ramë Lahaj.
Tenori shqiptar Ramë Lahaj, tha se mungesa e performancës në Kosovë është për shkak të agjendës së tij të zënë me organizimet jashtë vendit, raporton Ekonomia Online.
“Është bërë kohë që nuk kam ardhë të performoj në Kosovë, jo që nuk ishte dëshirë e imja por ka qenë fillimi i karrierës dhe isha shumë i zënë”.
“Duhet punuar shumë, dihet që sidomos kur lind në një vend të vogël si i joni, dihet çfarë janë mundësitë, kapacitetet, suportet, dihet sa janë mundësitë për me dalë jashtë ose me eksperimentu. Duhet punuar shumë gjatë rrugëtimit me biznesemenë artistë, kemi rëniet edhe ngritjet tona, ajo është pjesë e rrugëtimit”, ka thënë Lahaj.
Ai tha se me liberalizimin e vizave për Kosovën studentëve do t’u mundësohet zhvillimi i talenteve të tyre, duke hulumtuar nëpër vende të ndryshme të botës, raporton EO.
“Unë shpresoj që liberalizimi ka me ndodhë shumë shpejt dhe këtyre sudentëve, jo veç të muzikës, por edhe të arteve në përgjithësi, do ju japin mundësi me dalë, me hulumtu, me eksperimentu nëpër workshopet nëpër botë, sepse është e rëndësishme”, ka shtuar Lahaj.
Shoqërues i tenorit Ramë Lahaj në Prishtinë është edhe pianisti Alessandro Amoretti, i cili tashmë punon rregullisht me tenorin shqiptar.
“Jam i lumtur që jam këtu për të shoqëruar mikun tim, të cilin nuk ka shumë kohë që e kam takuar. Jemi takuar fillimisht në Rusi dhe menjëherë jam mahnitur nga zëri i tij”.
“Unë punoj si trajner i zërit dhe mund ta them këtë pa pasur asnjë ngurrim se jam i lumtur që jam këtu dhe që e shoqëroj këtë këngëtar, i cili ka shumë për t’i dhënë botës”, tha ai.
Tenori Ramë Lahaj do të mbajë sonte një koncert për nderë të Ditës së Evropës në Amfiteatrin e Bibliotekës së Prishtinës si dhe do të marrë pjesë në disa aktivitete të tjera, raporton EO.
Ndërkaq, dje ai është dekoruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me medaljen presidenciale të dhjetëvjetorit të Pavarësisë.