Ka zgjatur më shumë se një orë ndërprerja e seancës në Kuvend të Maqedonisë pas tensionit të krijuar mes opozitës dhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Por pas këtij pushimi ka pasur edhe ndryshime të rendit të ditës.
Është vendosur që në fillim të votohen pikat e tjera të rendit të ditës, ndërsa më pas të jepet përsëri gjysmë ore pushim për koordinatoret e grupeve parlamentare që të takohen para se të kalohet ne pikën e Ligjit të gjuhëve.
Për shkak të tensionit të krijuar brenda në seancën ku pikë e parë e rendit të ditës ishte edhe ligji i gjuhëve, siç raporton Alsat – m, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi me kërkesë të opozitës dha pushim një orësh.
Në fillim të seancës, pjesa më e madhe e deputetëve të VMRO DPMNE-së u paraqitën për procedurale kurse deputeti Ilija Dimovski kërkoi që çështja të kalojë në Komisionin për Çështje të Rregullores për të zgjidhur paqartësitë rreth 35 mijë amendamenteve të kësaj partie.
Dimovski deklaroi se e gjithë procedura ka qenë në kundërshtim me Rregulloren duke filluar nga mospasja e debatit publik, etiketimi i ligjit me yllin evropian, Komisioni amë si dhe mos-shqyrtimi i amendamenteve gjatë leximit të dytë.