Një person ka tentuar të vetëvritet sot në qytetin e Pejës duke rënë në kontakt me energjinë elektrike.
Lajmi.net mëson se personi që ka tentuar të vetëvritet është punëtor i KEDS-it, depoist në distriktin e Pejës dhe tentimin për të bërë vetëvrasje e ka kryer në vendin e punës.
M.B depoist në distriktin e KEDS-it në Pejë, ka lënë një letër ku ka bërë të ditura arsyet e tentimit të vetëvrasjes e që këtë letër e ka Policia e Kosovës.
Driton Rugova, zyrtar i lart për informim në Policinë e Kosovës, rajoni i Pejës ka thënë për lajmi.net se një person ka tentuar të vetëvritet në Pejë dhe ka marr ndihëm mjekësore.
“Viktima është mashkull shqiptar, pasi është dërguar në emergjencë ka pranuar ndihmën e parë mjekësore dhe është liruar për në shtëpi. Hetuesit janë duke punuar për zbardhjen e motivit të rastit. Këto janë informatat që i kemi deri më tani”, ka thënë Rugova për lajmi.net.
Lajmi.net ka kontaktuar zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala. që ka konfirmuar se rasti është në Polici duke thënë se nuk komentojnë më shumë.
“Rasti është në Polici dhe ne nuk i komentojmë rastet kur i marrin organet përgjegjëse”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala.