Në orët e pasdites së djeshme Policia në Vushtrri ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘vrasje në tentativë’.
“Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në rrugën ‘Pandeli Sotiri ’ në Vushtrri, ku sipas të dhënave të para dhe deklaratave të siguruara bëhet e ditur se pas një mosmarrëveshje të çastit ndërmjet të përfshirëve në rast, nga një mjet i mprehtë (thikë) i lënduar ka mbetur viktima m/sh/kosovar, i cili ka kërkuar tretman mjekësor në spitalin e qytetit të Vushtrrisë”, tha policia.
Në vendin e ngjarjes në cilësi të provës materiale është gjetur dhe është konfiskuar një thikë.
Pas procedurave intervistuese me aktvendim të prokurorit të rastit, njërit nga të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin janë duke u zhvilluar për veprën penale ‘vrasje në tentativë’ dhe ‘pjesëmarrje në rrahje’.