Tentuan të kryejnë vrasje – aktakuzë për pesë persona në Prizren

Prishtinë | 29 Jan 2019 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Aktakuzë për veprat penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, armëmbajtje pa leje dhe moslajmërim i veprave penale apo kryerësve.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër personave me inicialet K.S., D.S., M.B., S.K., dhe E.E.

Të njëjtit akuzohen për për veprat penale: “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”; “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”; “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” “Vrasje e rëndë në ndihmë e mbetur në tentativë”, si dhe për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo i kryerësve”.

“Sipas aktakuzës, me datë 19 shtator 2018 rreth orës 22:20 minuta, në Prizren në lagjen “Kurillë” i akuzuari K.S., duke qenë në shoqëri me të pandehurit tjerë D.S., M.B., S.K. dhe E.E., tenton të privojë nga jeta personat tjerë, gjegjësisht të dëmtuarit M.B., M.B. dhe Q.G., në atë mënyrë që në natën kritike me automjetin “Opel Vectra” të cilin ka qenë duke e drejtuar i akuzuari D.S., kur mbërrijnë në rrugën “Agim Shala”, pasi që e vërejnë se në drejtim të tyre është duke ardhur automjeti i markës “Audi”, duke manovruar me automjet u dalin përpara të dëmtuarve dhe i detyrojnë të ngadalësojnë automjetin, dhe në këtë mënyrë dalin nga automjeti dhe me pushkën e tipit “Kallashnikov”, i akuzuari K.S., gjuan në drejtim të automjetit të të dëmtuarve, me ç’rast një predhë e godet frigoriferin dhe xhamat e vitrinës së një lokali në afërsi të vendit të ngjarjes. Të dëmtuarit nga frika, me automjetin e tyre, me shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin për media.

Të ngjashme