Tre liderët politikë në vend përfundimisht janë tërhequr nga iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale që kishte nisur javë më parë e që ishte nënshkruar nga 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës. “Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet”.
Kjo deklaratë e presidentit Hashim Thaçi bëri të ditur se ai dhe dy liderët tjerë janë tërhequr nga iniciativa për zhbërjen e Speciales.
E menjëherë pas kësaj deklarate u zmbraps nga qëndrimi i tij i prerë për shfuqizimin e Speciales edhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Në kabinetin e tij qeveritar thonë se kryeministri ka qenë kundër Gjykatës Speciale para se ajo të formohet dhe se në momentin që është formuar ky ka qenë një fakt i pandryshuar, por në anën tjetër Haradinaj pati deklaruar se do t’i përkrahë deputetët e tij në iniciativën për zhbërje.