Kandidati i pavarur për kryetar të Drenasit, Rrahim Elshani, ka tërhequr kandidaturën e tij. Ai ka thënë se këtë po e bënë për arsye personale, raporton Ekonomia Online.
Ai në arsyetimin e tij ka thënë se nuk ka mundësi që të financojë fushatën, por edhe se nuk dëshiron të përçajë qytetarët e Drenasit.
I pyetur nga Ekonomia Online mos ka pasur ndonjë kërcënim nga PDK-ja, Elshani është përgjigjur se ka raporte shumë të mira me ta.
“Asnjë telefonatë nuk e kam marrë nga ta, por nuk i kam ditë rregullat si shkojnë, kam menduar se mundem me ja dalë, por nuk e shoh vetën që mund t’i dal në krye dhe kjo është arsyeja që tërhiqem”, ka thënë Elshani, pas tërheqjes së shortit nga KQZ-ja për renditjen e subjekteve politike për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit.
Kujtojmë se Elshani, kishte pakënaqësi me nominimin e Ramiz Lladrovcit për kryetar të Drenasit, andaj pat vendosur që të kandidojë si i pavarur.
Dje kandidaturën e tij e tërhoqi edhe anëtari tjetër i PDK-së, Naim Bazaj. Ndërkohë, ishte raportuar në medie se mbi kandidatët e pavarur që vinin nga radhët e PDK-së, ishte ushtruar presion nga drejtues të PDK-së, që të tërhiqen nga kandidimi për të parin e Drenasit.