Një tërmet me fuqi prej 5.6 shkallësh u regjistrua në orët e vona të së mërkurës në pjesën jugperëndimore të Iranit. Raportohet për së paku dhjetë persona të lënduar.
Televizioni shtetëror iranian citoi një zyrtar rajonal të ketë thënë: “Njerëzit në Sisakht dhe në qytezën Yasuj dolën nga shtëpitë në panik. Uji dhe rryma janë ndërprerë në Sisakht.”
“Ekipet e shpëtimit dhe ambulancat janë dërguar në atë zonë. Deri më tani, dhjetë persona janë lënduar”, shtoi zyrtari.
Agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, tha se epiqendra e tërmetit ishte rreth dhjetë kilometra nën sipërfaqen e tokës.
Sipas kësaj agjencie, nuk ka raporte për të vdekur, por agjencia Fars tha se së paku dy persona të lënduar janë në gjendje kritike.
Irani shtrihet në majë të pllakave tektonike dhe shpesh goditet nga tërmetet, shkruan Free Europe.
Në nëntor të vitit 2017, 620 persona vdiqën nga një tërmet prej 7.3 shkallësh që e goditi provincën Kermanshah.