Tërmeti 7.8 shkallësh në Turqi lë të vdekur mbi 250 njerëz, në Siri rreth 300

| 06 Shk 2023 | 09:59 | Nga

Një tërmet i fuqishëm ka goditur një zonë të gjerë në Turqinë juglindore, pranë kufirit me Sirinë, duke vrarë më shumë se 500 njerëz dhe duke bllokuar shumë të tjerë.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së tha se tërmeti me magnitudë 7.8 goditi vendin në orën 04:17 me orën lokale në një thellësi prej 17.9 km pranë qytetit të Gaziantep.

Zëvendëspresidenti turk Fuat Oktay tha se numri i të vdekurve në Turqi tani është rritur në 284 persona.

Në Siri, më shumë se 300 njerëz u vranë, njoftuan mediat shtetërore.

Ministria Siriane e Shëndetësisë tha se shumë njerëz kishin vdekur në provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus.

Ekziston frika se numri i vdekjeve do të rritet ndjeshëm në orët në vijim, shkruan BBC.

Shumë ndërtesa janë shembur dhe ekipet e shpëtimit janë vendosur për të kërkuar të mbijetuarit nën grumbuj të mëdhenj rrënojash.

Ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu tha se janë prekur 10 qytete nga dridhjet e termetit: Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Dijarbakir dhe Kilis.

Në provincën Malatya, në verilindje të Gaziantepit, të paktën 23 persona u vranë, thanë zyrtarët lokalë. Në Sanliurfa, në lindje, pati 17 vdekje. Dhe më shumë vdekje u raportuan në Diyarbakir dhe Osmaniye.

Të paktën 2323 persona u plagosën në Turqi dhe 639 në Siri.

Lëkundjet janë ndier edhe në Liban dhe Qipro.

Të ngjashme