Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion 1 milion dollar për këtë fazë të parë për kapërcimin e të gjitha pasojave që mund të kenë lënë tërmetet.
Teksa kontribuoi personalisht me ndihma për të prekurit në pikën e ngritur posaçërisht nga Bashkia e Tiranës pranë sheshit “Skënderbej”, ku çdokush mund të japë rroba apo ushqime, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se janë marrë të gjithë masat për menaxhimin e kësaj situate. “Ne do të akordojmë një fond të Bashkisë së Tiranës, rreth 1 milionë dollar, le të themi për këtë fazë të parë të emergjencave. Do të kemi një mbledhje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak, pikërisht për të adresuar këtë çështje dhe hequr paratë nga diçka tjetër dhe për t’u siguruar që adresohet ky problem”, u shpreh Veliaj.
Krahas mbledhjes së Këshillit Bashkiak dhe mbledhjes së shtabit të Emergjencave, do të ketë edhe një takim të posaçëm edhe me të gjithë administratorëve për planin organizativ. Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të kontaktojnë me administratorët e tyre për çdo nevojë, ndërsa shprehu gatishmërinë e Bashkisë për të mbështetur të gjithë ata që kanë nevojë. “Dua që secili nga qytetarët të ketë një kontakt me administratorin.
Administratori do të bëjë një inventar, me atë inventar ne do kuptojmë kush ka nevojë për ndërhyrje fizike, kush ka nevojë për ushqime e veshmbathje, kush ka nevojë pastaj për ndoshta ndihmë psikologjike. Ne do të angazhojmë të gjithë stafin psiko-social të çerdheve kopshteve e shkollave të Tiranës, shkruan TCh.
Duke nisur nga dita e hënë jo vetëm shkollat do jenë në rregull por do ketë edhe staf I cili nëpër klasa do u shpjegojë fëmijëve sepse është shumë e rëndësishme që faza e shokut të mos na paralizojë si shoqëri”, nënvizoi Veliaj.
Veliaj vlerësoi edhe kontributin e qindra qytetarëve që i janë përgjigjur menjëherë thirrjes së kreut të Bashkisë për të kontribuar me veshje dhe ushqime për njerëzit e prekur nga tërmeti.
“Qindra qytetarë kanë dhuruar ushqime, rroba e veshmbathje, për disa familje, sidomos ato në zonat rurale. Kriza nuk do mbarojë me sot e nesër por do të vazhdojë derisa të rehabilitohen plotësisht dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët që duan të bëjnë diçka , që nuk merren me llafe e nuk japin mend për gjëra kot por që duan realisht të bëjnë diçka konkrete e kanë një mundësi. Secili mund të bëjë një pako me ushqime e veshmbathje, preferojmë ushqime që nuk prishen, jo gjëra që duhen konsumuar brenda ditës, mundësisht konserva që ti kemi për një përdorim sa më të gjatë dhe më vjen mirë që kemi pasur një stok të konsiderueshëm në të gjithë qendrën tonë të Emergjencave Civile në Farkë për të përballuar valën e parë dhe do mirëpresim kontributet e qytetarëve”, deklaroi kreu i Bashkisë.
Kreu I Bashkisë u shpreh se fakti që qytetarët I janë rikthyer jetës normale, është treguesi më I mirë se Tirana nuk I nënshtrohet asnjë sfide dhe ia del gjithmonë mbanë. “Tirana ia ka dalë gjithmonë, jam i bindur që do ia dalë edhe kësaj here. Fakti që sot qytetarët I janë rikthyer jetës normale, do të thotë që ky qytet nuk nënshtrohet ndaj asnjë sfide. Kjo ishte një sfidë e paparashikueshme. Kemi kaluar javën më të vështirë në Tiranë. Patëm edhe një rrëshqitje në Zallherr ku u zhvendos gjithë tubacioni i ujit. Ndoshta edhe një moment reflektimi për çfarë i kemi bërë natyrës.
Besoj se ky është një leksion për të ardhmen. Për të tashmen është që të gjithë të jemi të mobilizuar dhe të bëjmë më të mirën. Jam i bindur që të gjithë bashkë edhe kësaj here do t’ia dalim”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se të gjithë grupet e punës kanë qenë në terren gjatë gjithë natës duke u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. “Dua të falenderoj edhe shumë njerëz të tjerë, edhe të gjithë djemtë e vajzat e Bashkisë, burra e gram, sidomos stafin tonë të Emergjencave, ne do kemi një mbledhje të shtabit sot në orën 16; 00 për të bërë një raportim të situatës në terren. Kryesisht emergjencat kanë qenë të zjarrfikësve , hapje dyersh, zhbllokime ashensorësh, mund të kemi pasur mbi 100 raste të tilla, pra ka pasur moment paniku pasi është bllokuar brava nga lëvizja apo bllokuar ashensori por të gjitha këto janë kryer në punë minutash dhe nuk besoj që ka pasur më shumë se 10-15 minuta, teksa zjarrfikësja ka mbuluar një territor jashtëzakonisht të madh, 1200 kilometra katrorë që është Tirana”, deklaroi Veliaj.