Anëtarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Melihate Tërmkolli, nga radhët e LDK-së ka kritikuar kryetarin e këtij komisioni, Haxhi Shalen, për mos mbajtje të mbledhjes për të diskutuar çështjen e shkarkimit të shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe më pas emërimit të drejtorit të ri.
Më 27 janar kishte dhënë dorëheqje shefi i AKI-së, Agron Selima. Ndërsa më 8 shkurt të këtij viti shefi i këtij institucioni ishte emëruar Driton Gashi, ndaj të cilit u ngritën shqetësime se ka probleme me ligjin.
“Është shkarku drejtori i AKI-së, dhe pastaj është zgjedhur përsëri një person për të cilin të them kështu ka pasur jo vetëm dilema, por edhe vlerësime jo të mira dhe unë shtroj pyetjen zotëri kryetar ku je që kaq muaj u bënë të gjitha këto ndërrime dhe nuk e thërret Komisionin”, ka thënë Tërmkolli, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka theksuar se është e paqartë se çka po ndodhë me këtë komision, i cili mbikëqyrë AKI-në.
“Nuk mundet Komisioni për AKI-në, pas të gjitha këtyre zhvillimeve të qëndrojë sikurse nuk po ndodhë asgjë. Unë nuk e kam të qartë, po të ishte ndoshta kryetar dikush prej pozitës ndoshta kishit me u ngrit në këmbë dhe me thënë hajde ta mbajmë mbledhjen, çka kini, çka po bëni, po kryetarin e kemi të opozitës dhe është shumë e pashpjegueshme çka po ndodhë kështu”
“ Zotëri kryetar, kjo është e papranueshme, kështu nuk punohet, kështu nuk funksionon shteti, kështu nuk mbahet shteti. Unë e di, i keni edhe angazhimet tjera partiake por shteti është para së gjithash, sidomos në një institucion kaq të ndjeshëm dhe pas ngjarjeve kaq të ndjeshme që kanë ndodhur në Kosovë para një muaji, në fakt në muajin e fundit”, ka thënë Tërmkolli.
Kryetari i komisionit, Haxhi Shala, ka thënës e kanë pasur takime me kryeministrin e vendit dhe se për të gjithçka ka ndodhur do të njoftohen.
“Ne kemi pasur takim me kryeministrin lidhur me këtë çështje, të hënën kam kërkuar, sepse unë nuk kam qenë këtu, ka pasur takim zëvendësi im dhe do të njoftohemi për gjithçka si ka shkuar rrjedha”, ka thënë Shala.