Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit, ka bërë dorëzimin e dhuratave për 250 fëmijë të cilët janë të shtrirë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.
Ternava tha se kanë vendosur t’i vizitojnë fëmijët në mënyrë që sadopak t’i sjellin buzëqeshjen në fytyrat e tyre.
“T’i gëzojmë për këtë festë, gëzimesh, solidariteti, është festë që edhe një herë shtyn të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që ata nga mundësia që kanë posedojnë materiale të ndajnë për njerëzit në nevojë, në veçanti për të cilat kanë pasur dhe kanë fëmijët, të cilët janë të shtrirë për sëmundje të ndryshme në spitalin e pediatrisë”, tha ai.
Sipas tij, BIK ka mundësi dhe potencial që edhe në të ardhmen të ndihmojë këtë spital dhe spitalet tjera.
“Brenda këtyre ditëve, këtë javë të kësaj feste, ne kemi ndihmuar mbi 10 mijë familje në Kosovë, kemi shpërndarë ndihma anekënd Kosovës, ndihma kryesisht në ushqim dhe veshmbathje për njerëzit në nevojë. Në njërën anë na vjen mirë që i kemi shpërnda por në anën tjetër na vjen keq pse është ky numër kaq i madh i atyre njerëzve që kanë nevojë në Kosovë, derisa Kosovës i madhi Zot i ka fal resurse të bollshme që të ketë çdo familje një jetë solide në Kosovë, nëse shfrytëzohen politikat e drejta karshi qytetarëve”, tha ai.
Ai njoftoi se sot do të vizitojë edhe SOS fshatin në Prishtinë, ku do të ndajnë disa ndihma për fëmijët që jetojnë në atë fshat.