Tërnava: T’i përkushtohemi këtij muaji me bindje, adhurim, dhe sinqeritet

Prishtinë | 10 Mar 2024 | 11:48 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka bërë thirrje ndaj të gjithë besimtarëve kudo që janë të agjërojnë, raporton Ekonomia Online.

Tërnava, bëri thirrje që gjatë këtij muaji besimtarët të përkushtohen në lidhjet familjare dhe të shtrijnë dorën për personat nevojtarë.

“Të nderuar vëllezër dhe motra, në këtë natë të madhe, në këtë atmosferë hyjnore ftoj besimtarët tanë kudo që janë që këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke ruajtur dhe kultivuar lidhjet familjare dhe duke shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve dhe skamnorëve. Duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes ndërmjet mes vete”, u shpreh Tërnava në konferencë për media.

Ai bëri thirrje që besimtarët islam të mos i kushtojnë vëmendje thirrjeve devijuese, por t’i përmbahen porosive të dijetarëve të mirëfilltë.

“Përmbajuni porosive të Zotit xh.sh dhe të Pejgamberit Muhammed a.s, të dijetarëve të mirëfilltë dhe institucioneve islame të shtetit tonë e mos i kushtoni vëmendje thirrjeve devijuese nga njerëz të papërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm”, tha ai.

“Nesër fillon muaji i bekuar Ramazan, muaji i agjërimit, i mirësisë dhe faljes, çdo vit ne e presim këtë muaj me padurim, ngase Zoti na ka nderuar me të. Ky është muaji me të cilën me të madhe përçohen mesazhe urimi e përgëzimi është muaji i lutjeve dhe adhurimeve, ku shtohen dashuria për fe dhe Zotin, muaji me mirësi dhe begati, muaji në të cilën besimtari i sinqertë përmes agjërimit synon përsosjen e tij morale dhe etike, muaji që me vepra dhe përkushtimin e lartë synon lehtësimin e rrugës së besimtarit për në xhenet”.

“Në çdo Ramazan ne mbushemi me çdo shpresë dhe dhembshuri, ngase ky është muaji i bujarisë dhe mirësisë, muaji i cili më shumë na bashkon dhe na forcon dinjitetin ndërmjet nesh. Muaji i bekuar i Ramazanit është muaj që Zoti xh.sh veçoi nga muajt e tjerë të vitit, duke e dalluar atë me virtytet e larta dhe mirësi të pakufishme. Në Ramazan zbret mëshira, shumëfishohet shpërblimet nga punët e mira, falën mëkatet dhe veprat e liga, hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen ato të xhehenemit”.

Myftiu i Kosovës bëri lutje që të gjithë besimtarëve t’i pranohet agjërimi.

“Lutemi që i Plotfuqishmi ta pranojë agjërimin dhe lutjet tona, t’i jap kombit tonë e shtetit tonë siguri dhe stabilitet. Lutemi që konfliktet, luftërat dhe gjakderdhja në mes njerëzve pa dallim race, feje, ngjyre apo kombi të marrin fund”.


Të ngjashme