Në muajin prill nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në vend do t’i nënshtrohen përsëri vlerësimit PISA. Ministria e Arsimit thotë se përgatitjet janë duke vazhduar me angazhim maksimal, kurse njohësit e çështjeve arsimore theksojnë se rezultatet e këtij testi duhet të shfrytëzohen për ta përmirësuar gjendjen në arsim.
Në vitin 2015 pas testit PISA, Kosova u rendit në mesin e shteteve më të dobëta. Kjo ka bërë që ministria e Arsimit të ndërmarrë disa hapa në mënyrë që rezultatet e kësaj here të jenë më të mira.
Valmir Gashi, këshilltar në MAShT, ka thënë për Lajmi.net se qysh nga fillimi Ministria ka ngritur një komision të ri, duke hartuar edhe një udhëzim administrativ.
Gashi thotë se komisioni i vjetër ka qenë tërësisht jofunksional.
“Që në fillim të marrjes së përgjegjësisë, ministri Bytyqi ka marrë hapat e duhur rreth përgatitjeve që ne duhet të bëjmë për Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA). E kemi ngritur një komision të ri për faktin se komisioni i kaluar ka qenë tërësisht jofunksional. Komisioni i ri është tejet i angazhuar me përgatitjet që duhen bërë, madje kanë hartuar edhe një Udhëzim Administrativ që ka të bëjë me mbikëqyrjen e testit PISA 2018 dhe në bazë të të cilit kërkohet përgjegjësi dhe llogaridhënie”, ka thënë Gashi në një përgjigje me shkrim.
Këshilltari i ministrit Bytyqi ka bërë të ditur se gjatë muajit mars do të mbahen edhe dy teste provuese. Kjo në mënyrë që rezultatet të dalin sa më pozitive.
“Gjithashtu, ky komision ka përgatitur edhe planin e punës me aktivitetet që duhet të zhvillohen deri në mbajtjen e testit. Deri më tani kanë mbaruar takimet informuese nëpër regjionet e vendit dhe takimet me koordinatorët e testit PISA të zgjedhur nëpër komunat e Kosovës. Sipas planit, gjatë këtij muaji po mbahen edhe dy teste provuese me nxënësit 15-vjeçarë. Pra, MAShT-i është duke bërë përgatitjet maksimale që në testin PISA 2018 të dalim shumë më mirë se në PISA 2015”, thotë Valmir Gashi.
E në anën tjetër njohësi i çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci po thotë se për këtë test nuk ka nevojë ndonjë përgatitje të veçantë.
Pupovci ka theksuar për Lajmi.net se përgatitja më e mirë është që nxënësit të njoftohen për natyrën e pyetjeve, dhe të përgatiten në aspektin psikologjik.
“Testi PISA mat aftësinë e 15-vjeçarëve për t’i zbatuar në jetën e përditshme njohuritë nga fusha e leximit, e matematikës dhe e shkencave të natyrës. Rezultati i këtij testi është pasqyrë e njohurive, shkathtësive dhe shprehive që nxënësit i kanë përfituar gjatë shkollimit të tyre paraprak. Prandaj edhe nuk mund të ketë përgatitje të veçantë për testin PISA, përveç njoftimit të nxënësve me natyrën e pyetjeve dhe përgatitjen e tyre, në aspektin psikologjik që të japin, maksimumin”, ka thënë Pupovci.
Pupovci është shprehur optimist se gjenerata që do t’i nënshtrohet këtë vit testit PISA, ka gjasa të ketë rezultate më të larta. Në këtë, sipas tij, mund të ndikojnë edhe njohuritë teknologjike të nxënësve.
“Këtë vit hyn në PISA gjenerata e nxënësve që kanë lindur në vitin 2002. Para tre vjetësh kanë qenë nxënësit e lindur në vitin 1999. Gjeneratat e vitit 2002 i ka pasur kushtet më të mira të shkollimit, duke filluar nga tekste shkollore falas që u janë dhënë gjatë gjithë arsimit të obligueshëm deri tek infrastruktura më e mirë shkollore. Me gjasë, kanë pasur rastin ta përdorin më shumë teknologjinë”, thotë Pupovci.
Ai thekson se rezultatet e testit PISA duhet të shfrytëzohen për përmirësimin e gjendjes në arsim.
“Prandaj edhe mund të ndodhë që të performojnë më mirë se gjenerata e vitit 1999, por rezultati duhet të shfrytëzohet për të bërë përmirësime, jo për t’i mbuluar problemet. Tekefundit, rezultatin e PISA 2018 do ta kemi vetëm në dhjetorin e vitit 2019. Ndërkohë, mund të ketë shumë zhvillime të tjera”, thekson ai.
Pupovci tutje ka thënë se grevat dhe shtyerjet e mësimit që po ndodhin kohëve të fundit, nuk mund të ndikojnë në rezultatet e testit PISA.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka bërë të ditur se nëse ata fillojnë grevën nga 13 prilli, edhe mbajtja e testit PISA do të pamundësohet.