Tetë lojtarë të Prishtinës janë të infektuar me COVID-19, raporton Telegrafi.
Menjëherë pasi janë kthyer nga Gjibraltari, aty ku do të zhvillonin takimin ndaj Lincoln Red Imps, bardhekaltërit kanë kryer testet për Coronavirus në vendin tonë.
Skuadra ishte nisur për herët të dytë në Gjibraltar, duke shpresuar se ishin të gatshëm që të zhvillonin ndeshjen në kuadër të parakualifikimeve në Ligën e Evropës.
Telegrafi mëson se Leart Emini, Ardit Nika, Kushtrim Gashi, Perparim Osmani, Adem Maliqi, Boshnjaku, Arbnor Muja dhe Ardian Muja, janë të infektuar me coronavirus.
Nga situata e krijuar, fituesi i Kupës së Kosovës rrezikon të humbë ndeshjen me rezultat zyrtar nga UEFA, 3-0.
Foto: KF Prishtina/ Facebook
Prishtina kishte falënderuar Lincolnin për mirëkuptimin e tyre në situatën e krijuar, mirëpo këta të fundit dyshohet se kanë bërë ankesë në shtëpinë e futbollit evropian.
Kjo situatë e krijuar te klubi kryeqytetas, duket se do të ketë shumë probleme për ta, pasi me gjasë do të humbin ndeshjen në tavolinë.
Kujtojmë se nga një gjë e tillë e pësoi Drita ditë më parë që do të përballej me Linfieldin në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, e që e humbën takimin me rezultat zyrtar.