Shtatë pjesëtarë të forcave të Azerbajxhanit u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën në përleshjet me trupat armene në kufirin e përbashkët të të dyja vendeve, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Azerbajxhanit.
Zyrtarët armenë raportuan për një viktimë dhe thanë se 13 trupa u kapën gjatë veprimeve ushtarake të së martës derisa 24 të tjerë janë zhdukur.
Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për fillimin e përleshjeve, shkruan Al Jazeera.
Ministria armene e Mbrojtjes tha se ushtria e Azerbajxhanit hapi zjarr mbi pozicionet armene.
Qeveria e Azerbajxhanit akuzoi Armeninë për një “provokim të shkallës së lartë”.
Këto përleshje shënuan luftimet më të ashpra midis dy vendeve ish-sovjetike që nga lufta gjashtëjavore e zhvilluar vitin e kaluar në rajonin e Nagorno-Karabakut, një konflikt nga i cili mbetën të vrarë më shumë se 6500 njerëz.
Viktimat e së martës kanë ngjallur frikën e një tjetër shpërthimi të madh në mosmarrëveshjen e tyre territoriale.