Tetë vite burgim e 900 euro gjobë ndaj tre të akuzuarve për dërgimin e narkotikut në Burgun e Dubravës

Prishtinë | 30 Dhj 2021 | 17:39 | Nga Ekonomia Online

Dy të akuzuarit për dërgimin e narkotikut në Qendrën Korrektuese të Dubravës, Liridon Istrefaj dhe Halil Biba u dënuan me nga tre vite burgim, ndërsa i akuzuari Behxhet Hasani me dy vite burgim, po ashtu të tre u dënuan edhe me nga 300 euro gjobë. Kurse, u refuzua akuza për të akuzuarin e katërt Hysen Hasani.

Shpalljen e këtij aktgjykimi e bëri të enjten, kryetari i trupit gjykues Sami Sharraxhiu, në Gjykatën Themelore në Pejë.

Nga shpallja e dënimit për secilin të akuzuar veç e veç, gjyqtari i çështjes deklaroi që në rast gjoba e caktuar për secilin nuk paguhet nga plotfuqishmëria e aktgjykimit në afat prej 30 ditësh, do t’iu llogaritet në ditë burgimi nga 20 euro për një ditë.

Të njëjtit gjithashtu u obliguan për shpenzimet e procedurës në shumë prej 50 euro, paushallin gjyqësor në shumë prej 50 euro si dhe taksën për fondin e viktimave të luftës prej 50 euro, secili veç e veç.

Gjithashtu gjyqtari Sharraxhiu lidhur me substancën narkotike në peshë me mbi 140 gramë deklaroi se e njëjta do të konfiskohet dhe pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të asgjësohet, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Pejës më 10 shkurt 2020, Behxhet Hasani, Hysen Hasani, Liridon Istrefi dhe Halil Biba, ngarkoheshin që pas marrëveshjes së arritur në mes të pandehurve të lartcekur dhe të arratisurit Premtim Ahmeti, duke vepruar në bashkëkryerje sipas propozimit të pandehurit Behxhet, e me qëllim të dërgimit në brendi të Qendrës Korrektuese në Dubravë, të substancave narkotike të llojit marihuanë për të pandehurin Behxhet, i cili gjendet në vuajtje të dënimit, i pandehuri Hasan më 28 shtator 2017, nga i pandehuri Behxhet përmes telefonit udhëzohet që nga të pandehurit Halil dhe Liridon të pranojë disa gjëra.

Sipas akuzës thuhet se, në ato gjëra është një komodë plastike ku ishte fshehur narkotiku, e të cilat duhet t’i sjellë në burg kur të shkon në vizitë tek Behxheti.

Sipas akuzës, i pandehuri Behxhet për këtë e njofton edhe të pandehurit Halil Biba, Liridon Istrefin dhe Premtim Ahmetin që më 30 gusht 2017, i pandehuri Premtim ia dorëzon komodën e plastikës të pandehurve Halil dhe Liridon e të cilët po atë ditë, atë komodë ia dorëzojnë të pandehurit Hysen, ku i pandehuri Halil e paguan taksin, i cili do ta dërgojë të pandehurin Hysen në Burgun e Dubravës.

Tutje, thuhet se pas kontrollit të asaj komode dhe gjërave të tjera më 1 shtator 2017, ishte zbuluar dhe sekuestruar narkotiku i llojit marihuanë në peshë prej 141,16 gramë.

Për çka thuhet në akuzë se si bashkëkryerës kishin kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, nga neni 273 par.2 lidhur me nenin 281 par.1 pika 1.8 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me burgim prej tre deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme