Krahas aspektit të sigurisë, Kosova sërish është temë edhe e hapave diplomatikë . Kështu, ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel nga Prishtina sërish ka dhënë mesazhin se vendi i tij pret normalizim të tërësishëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës bashkë me një marrëveshje detyruese, transmeton Koha.net.
Katër muaj pa dialog. Për herë të fundit Beogradi e Prishtina biseduan në dhjetor. Pas kësaj ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë dhe fushata presidenciale në Serbi. Mjaft sa për t’u ndaluar çdo gjë. E pastaj përnjëherë mesazhi i Gjermanisë për Serbinë: Normalizoni marrëdhëniet me Kosovën dhe bëjeni marrëveshjen detyruese. A është kjo thirrje për njohje të pavarësisë së Kosovës?, pyeten mediet në Serbi.
“Ky është mesazhi i Gabrielit: Urdhëroni e punoni. Në fakt ju po bëni sikur bisedoni që nga viti 2014. Nuk ka më dialog teknik. Po zhvillohet dialogu politik. Duhet emëruar negociatori politik, duhet bërë një ekip përreth presidentit i cili duhet të koordinohet me qeverinë e do t’i mbikëqyret bisedimet, ka thënë për b92 Dushna Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike.
Analisti politik Slobodan Antoniq thotë se supozohet se kjo marrëveshje do të ishte një lloj ujdie ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
“Marrëveshje me të cilën Beogradi nuk do t’i mundësonte Prishtinës të hyjë në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara”, thotë Antoniq.