Zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, i ka bërë thirrje publike kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe kryetarit të LDK-së që të mos e tërheqin ministren Hykmete Bajrami nga detyra.
Ai tha se pasojat do të ishin të mëdha nëse do të ndodhte një gjë e tillë në këtë kohë.
“Apel Kryetarit të LDK-së që assesi mos ta tërheqë ministren Bajrami! (me këtë nuk po paragjykoj që Kryetari i LDK-së e ka në plan tërheqjen e ministrave të LDK-së). Apel Kryeministri Kurti që assesi mos ta shkarkojë ministren Bajrami! (me këtë nuk po paragjykoj që Kryeministri Kurti e ka në plan shkarkimin e ministrave të LDK-së)”, ka shkruar ai.
“Nëse kabineti në këtë ministri defunksionalizohet ose çrregullohet, ta dini që të gjitha emergjencat me pasoja afatgjata në këtë ministri do të mbeten të pa-adresuara e dëmet si pasojë e kësaj do të jenë të parikuperueshme, rrjedhimisht shumë të dëmshme dhe afat-gjata për arsimin në Kosovë. Gjithashtu, projekti i mësimit në distancë, ekstremisht i rëndësishëm për këto rrethana, mund të dështojë tërësisht”.
Jusufi tha se nuk dihet se çfarë mund të ndodhë orët dhe ditët në vijim, prandaj është lutur që të mos defunksionalizohet Ministria.
“Aman, së paku këtë nerv të vogël që e siguron mbijetesën e arsimit në këto rrethana të jashtëzakonshme mos e cenoni derisa të sigurohet zgjidhja tjetër!”.