Thaçi: Bashkimi i Luginës me Kosovën i realizueshëm – BE, NATO e ShBA s’mund ta pengojnë këtë

Prishtinë | 02 Gus 2018 | 12:13 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi thotë se është e pranueshme dhe realizueshme kërkesa e liderëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën.

Thaçi, gjatë një vizite që bëri në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), tha se mund të ketë “korrigjim të kufijve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë Luginën e Preshevës. Por, sipas tij, “në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratës së Serbisë për ndarjen e Kosovës”.

“Sa i përket korrigjimit të kufijve, kemi rreth 400 kilometra me Serbinë, ne duhet të përmbyllim ndërtimin e shtetësisë. Do të diskutohet për demarkacionin edhe për korrigjimin e kufijve, por e ritheksoj edhe një herë në asnjë rrethanë, me asnjë çmim nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratës së Serbisë për ndarjen e Kosovës”, deklaroi Thaçi para gazetarëve.

“Ndërsa në kuadër të korrigjimit, besoj që është e pranueshme e realizueshme, nga ana e jonë, nga pjesa e institucionalizuar e liderëve të Luginës për bashkëngjitje me Kosovën”.

Kreu i shteti shtoi se nëse ka pajtueshmëri të dyanshme, Bashkimi Evropian (BE), NATO e as Shtete e Bashkuara të Amerikës (ShBA) nuk do të mund dhe nuk do të dalin kundër një marrëveshje të vullnetit të mirë të palëve të përfshira në dialog.

“Nëse ka marrëveshje, nëse ka pajtueshmëri të dyanshme, askush nuk do të mund dhe nuk do të del kundër një marrëveshje të vullnetit të mirë të palëve të përfshira në dialog, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë, pra as Bashkimi Evropian, as NATO as Shtete e Bashkuara të Amerikës”.

“Pra e ritheksoj në se nuk do të ketë ndarje, korrigjim të kufijve mund të ketë duke përfshirë Luginën e Preshevës”.

Se kur do të ndodh takimi i radhës me homologun serb Aleksandar Vuçiq, presidenti tha se nuk ka një datë të saktë, por ka garantuar se në fund të muajit gusht dhe fillimi të muajit shtatorit pret që të ketë shtim të dinamikës nga BE në këtë drejtim, raporton EO.

“Ende nuk është specifikuar ndonjë ditë kur do të ketë takim. Por shpresoj që nga fudni i gushtit fillimi i shtatorit të ketë dinamikë të shtuar nga BE dhe të ndihmuar nga ShBA”.

Ndërsa kreu i OEK, Berat Rukiqi, tha se ka inkurajuar presidentin në përfundimin e dialogut me Serbinë, që do të mundësonte stabilitet sidomos në kuptim të partneritetit me investitorët e huaj.

“Ishte një inkurajim nga Oda Ekonomike dhe nga komuniteti i biznesit për përmbylljen e procesit të dialogut, i cili e rrit opinionin ose krijon një parakusht për një stabilitet të gjatë të vendit dhe sigurisht stabiliteti është i rëndësishëm, sidomos në kuptim të partneritetit me investitorët e huaj”.

 

Të ngjashme