Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Wess Mitchell.
“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, me të cilin bashkëbiseduam për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
“Ne u pajtuam për intensifikimin e dialogut dhe domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht obliguese me Serbinë. Dialogu dhe marrëveshja përfundimtare janë mënyrë e vetme për t’i hapur rrugë integrimeve euroatlantike për Kosovën dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar tutje ai.
Kosova, thotë Thaçi, si gjithmonë, gëzon mbështetjen e palëkundur amerikane edhe në fazën e fundit përfundimtare të këtij procesi të vështirë, por jo të pamundur për t’u përmbyllur me marrëveshje.